Pas pesë vitesh hetimi shkatërrohet mafia shqiptare: Konfiskohen 5 tonë kokainë e 5,5 milionë euro

Evropë

Pas pesë vitesh hetimi shkatërrohet mafia shqiptare: Konfiskohen 5 tonë kokainë e 5,5 milionë euro

Nga: D.G. Më: 22 shtator 2020 Në ora: 11:46
Aksioni i Europolit

'Kompania Bello' është emri i grupit kriminal shqiptar, i cili, sipas Europolit, kishte rrjetin më aktiv kriminal përmes të cilit kontrabandohej kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë. Dhe ky grup kriminal u shkatërrua plotësisht në një operacion të përbashkët policor ndërkombëtar, që është kryer në 10 vende për pesë vitet e fundit.

Kjo rezultoi me arrestimin e 20 personave javën e kaluar në Itali, Holandë, Gjermani, Greqi, Rumani, Itali, Spanjë, Shqipëri dhe Dubai. Më parë, 84 persona u arrestuan në këtë operacion të përbashkët policor, duke përfshirë Italinë, Ekuadorin, Holandën, Britaninë e Madhe, Zvicrën dhe Gjermaninë. 

Operacioni i ndërlikuar policor ndërkombëtar zgjati për pesë vjet, gjatë të cilit u sekuestruan gjithsej katër tonë kokainë dhe 5.5 milionë euro para të gatshme. Hetuesit gjithashtu dolën me një zbulim interesant. Në fakt, për vite me radhë, organizatat kriminale punuan në parimin që një person porositte kokainën, një tjetër e importonte, një i tretë e transportonte, një i katërt e shiste...

Por organizata kriminale shqiptare ndryshoi qasjen e saj dhe kontrolloi të gjithë procesin - nga porositja e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë me anije deri te shpërndarja e drogës në të gjithë Evropën. Kreu i këasaj organizate kriminale shqiptare ishte një 40-vjeçar shqiptar, me vendbanim në Ekuador. Duke përdorur një komunikim të koduar, ai negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, duke kontraktuar dërgesat e mëdha të kokainës, transmeton vecernji.hr. 

Droga arrinte në portet kryesore evropiane, ndërsa anëtarët e organizatës kriminale të vendosur në Itali, Hollandë dhe Shqipëri më pas i shpërndanin ato nëpër Evropë. Për kontrabandimin e drogës përtej kufirit, përdoreshin automjete që ishin të pajisura posaçërisht, domethënë që kishin ndarje të fshehura. Paratë nga tregtia e drogës paguheshin, sipas Europolit, nëpërmjet një sistemi të nëndheshëm, të njohur si sistemi kinez. Është ky një sistem i ngjashëm me haëalin, sistemin e pagesës i cili përdoret në Lindjen e Mesme, përkatësisht i transferimit të parave nga dora në dorë, në vend se përmes llogarive.

Sistemi funksionon ashtu që dikush që i jep para dikujt dhe ai i përcjell ato më tutje, kështu që paratë mund të kapërcejnë pothuajse gjithë botën, pa lënë fare gjurmë. Europoli beson se organizata kriminale shqiptare pastroi kështu miliona euro para se të arrestoheshin. Aksionin ndërkombëtar i policisë, që rezultoi me shkatërrimin e tërë organizatës kriminale shqiptare, u iniciua në vitin 2015 nga policia italiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat