Ka dalë videoja: Ç'kërkonte Krivokapiq në Durrës më 1996?

Evropë

Ka dalë videoja: Ç'kërkonte Krivokapiq në Durrës më 1996?

Nga: D.G. Më: 23 shtator 2020 Në ora: 12:04
Zdravko Krivokapiq

Bartësi i listës zgjedhore "Për Ardhmërinë e Malit të Zi", Zdravko Krivokapiq, konfirmoi për shtypin malazias se videoja, e cila tregon se ai ishte në shtëpinë e Mileta Paviçeviqit në Durrës kur u prit nacionalisti serb dhe terroristi i dënuar Nikola Kavaja, është autentik, por se ai ndodhej atje rastësisht.

"Kur hyra brenda, pashë simbolet që ishin aty, unë nuk i përkas as lëvizjes çetnike, aspartizane. Nuk mund të kuptoj asnjë mesazh të këtij lloji që më imputohen këto ditë. Mendoj se ishte viti 1996, nuk e mbaj mend datën. Për mua, ishte një ngjarje e parëndësishme në jetën time", tha Krivokapiq.

Ai tha se e dinte kush ishte Kavaja, por se nuk pranonte asnjë formë terrorizmi.

"E di që Kavaja ka qenë qytetar amerikan, simbol i njëfarë luftëtari kundër komunizmit, por unë nuk pranoj asnjë terrorizëm. Të gjithë janë të huaj për mua, unë nuk kam armë apo pushkë dhe nuk më pëlqejnë armët. Është absolutisht e vërtetë që kam qenë, por pse po zgjatet tani me këtë, është vetëm për të ulur reputacionin tim në një masë që t'u përgjigjet disa pikëpamjeve politike. Gjithçka tjetër është histori që nuk ka bazë. Nëse mbaj mjekër, nuk do të thotë se jam çetnik. Nuk e di se si dikush mund të më identifikojë me këtë, ne jetojmë në vitin 2020, për çfarë po flasim, kush merret me këto sot? Nëse kjo do të thotë diçka për dikë, le të thotë ku isha çetnik. Ajo është shtëpia e vetme në të cilën kam hyrë dhe thashë se nuk do të shkelja kurrë më në të", tha Krivokapiq.

Ai theksoi se nuk punon për askënd ose kundër askujt. "Ndoshta ata do të zbulojnë se kam punuar për kinezët, se kam bashkëpunuar me këtë apo atë. Unë kam punuar me të gjithë dhe nuk e kam atë problem. Nuk mund ta kuptoj Malin e Zi sot, në vitin 2020, që dikush të flasë nëse profesori Krivokapiq është çetnik. Pse më ngjesin etiketa?”, tha Krivokapi.

Ai pyeti pse "ajo video është kaq e rëndësishme tani".

Në videon nga shtëpia e Paviçeviqit, për të cilën Krivokapiq thotë se është autentike, shihen fotografi të Radovan Karaxhiqit, por Krivokapiq nuk donte të fliste për këtë, por, siç tha ai, ai dëshiron t'ia lërë atë historisë.

Vojvoda çetnik, Mileta Paviçeviq konfirmoi për Pobjeda-n se videoja që tregon pritjen e Kavajës në shtëpinë e tij në Durrës është autentike.

Nëmedia dhe në rrjetet shoqërore është publikuar videoja nga fundi i viteve të 1990-ta e Krivokapiqit në shoqëri të e mbështetësve të Lëvizjes së Ravnogorës nga Lufta e Dytë Botërore, nën imazhin e Radovan Karaxhiqit, i dënuar për gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe në shoqërinë e nacionalistit serb, terroristit të dënuar dhe anti-komunist Nikola Kavaja, i mirënjohur si "gjuetari i Titos".

Në një intervistë për televizionin "Face" të Bosnjë-Hercegovinës më 19 Shtator, Krivokapiq, duke folur për kundërshtarët politikë që e etiketonin, kërkoi që këtë edhe ta dëshmojnë.

"Mali i Zi është një vend i paradokseve dhe çudive të paparë. Unë do të doja që dikush të thoshte me fakte se profesori Krivokapiq është çetnik… se këtë e ka dëshmuar me veprimet, punën, paraqitjen e tij," tha Krivokapiq.

Me rastin e publikimit të videos, Tea Gorjanc Preleviq, aktiviste joqeveritare dhe drejtore e organizatës "Aksioni për të drejtat e njeriut", i kërkoi publikisht Krivokapiq të përgjigjej para se të mbështetej si kryeministër pse ishte në "komitetin e mirëseardhjes" të Kavajës, terroristit të dënuar, pastaj "nëse e konsideron veten çetnik "dhe nëse "e mbështet atë lëvizje".

Ajo gjithashtu pyeti "nëse mendon se çetnikët ishin fashistë", "si e percepton bashkëpunimin e çetnikëve me pushtuesit nazistë" dhe cili është pozicioni i tij ndaj Karaxhiqit dhe krimeve të  luftës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat