Lukashenko inagurohet me një ceremoni të fshehtë

Evropë

Lukashenko inagurohet me një ceremoni të fshehtë

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 07:28
Alexander Lukashenko

Udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko deklaroi fillimin zyrtar të mandatit të tij të 6-të presidencial të mërkurën, pas mbajtjes së një ceremonie sekrete inaugurimi duke sfiduar demonstratat masive kundër largimit të tij nga pushteti pas akuzave për manipulim të zgjedhjeve të muajit të kaluar. Zoti Lukashenko këmbëngul se ai fitoi zgjedhjet e 9 gushtit me një rezultat dërrmues, duke fituar 80 për qind të votave, megjithë pretendimet e përhapura si brenda ashtu edhe jashtë vendit se procesi u manipulua me qëllimin për ta ruajtur pushtetin e tij 26 vjeçar. "Ne nuk kemi zgjedhur thjesht një president. Ne mbrojtëm vlerat tona, të të jetuarit në paqe, sovranitetin dhe pavarësinë tonë", tha zoti Lukashenko duke iu drejtuar një auditori prej disa qindra zyrtarësh të mbledhur me këtë rast. "Nuk mundem, nuk kam të drejtë t'i braktis bjellorusët", tha ai.

Autoritetet bllokuan kryeqytetin e vendit Minskun, me qëllimin që të kalonte autokolona e zotit Lukashenko për ceremoninë e inaugurimit. Ngjarja nuk u transmetua në televizionin shtetëror. Asnjë personalitet i huaj, përfshirë përfaqësues nga Rusia, aleati më i ngushtë i zotit Lukashenko, nuk ishin në ceremoni.

Brenda disa orësh, Sviatlana Tikhanouskaya, rivalja kryesore në zgjedhje e zotit Lukashenko, lëshoi deklaratën kundër inaugurimit dhe e quante atë një "farsë".

"Sot, i fshehur nga njerëzit, Lukashenko u përpoq të kryente inaugurimin e tij", tha zonja Tikhanouskaya, duke shtuar se ai nuk “është as kreu legjitim i Bjellorusisë". “Unë Sviatlana Tikhanouskaya jam udhëheqësja e vetme e zgjodhur e popullit bjellorus. Qëllimi ynë aktualisht është të ndërtojmë së bashku një Bjellorusi të re", tha zonja Tikhanouskaya. Por ajo ka thënë vazhdimisht se nuk ka ndërmend të marrë detyrën si presidente dhe se në vend të kësaj do të bënte thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme sapo zoti Lukashenko të largohej nga pushteti.

Disa vende evropiane mes tyre Gjermania, Danimarka dhe vendet baltike kanë bërë të ditur se nuk do ta njohin më qeverinë e Lukashenkos. BE-ja ka bërë thirrje për sanksione kundër përgjegjësve për manipulimin e zgjedhjeve dhe dhunës ndaj protestuesve paqësorë. Rusia, mbështetësja kryesore e zotit Lukashenkos mes trazirave politike, nuk bëri ndonjë deklaratë zyrtare pas inagurimit të tij, por ka thënë më parë se tani për tani njeh zotin Lukashenko si udhëheqësin legjitim të vendit. Opozita bjelloruse bëri menjëherë thirrje që protestuesit të mbushin rrugët e kryeqytetit të mërkurën në mbrëmje, duke ndjekur një model të mosbindjes qytetare që nga procesi zgjedhor, që pjesëmarrësit e kanë cilësuar si "rizgjim kombëtar". Për gjashtë javë rresht qindra mijëra vetë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e zotit Lukashenko duke argumentuan se zgjedhjet u manipuluan./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat