BE refuzon ta njohë Lukashenkën si president të Bjellorusisë

Evropë

BE refuzon ta njohë Lukashenkën si president të Bjellorusisë

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 09:49
Alyaksandr Lukashenkën

Bashkimi Evropian refuzon ta njohë Alyaksandr Lukashenkën si president të Bjellorusisë, tha të enjten shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“BE-ja nuk i njeh rezultatet e falsifikuara [të zgjedhjeve në Bjellorusi]. Bazuar në këtë, i ashtuquajturi inaugurim i 23 qershorit dhe mandati i ri, i pretenduar nga Alyaksandr Lukashenka, nuk kanë asnjë legjitimitet demokratik”, tha përmes një deklarate Borrell.

“Ky ‘inaugurim’ bie ndesh me vullnetin e pjesës më të madhe të popullsisë bjelloruse”, shtoi ai.

Zgjedhjet në Bjellorusi janë mbajtur më 9 gusht, por opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se votimet janë manipuluar, në favor të Lukashenkës.

Që atëherë, mijëra bjellorusë, përkundër shtypjeve nga policia, protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkës.

Të mërkurën, në një ceremoni të paparalajmërur, Lukashenka bëri betimin për mandatin e gjashtë presidencial.

Kjo shkaktoi protesta masive dhe bllokim të rrugëve në Bjellorusi.

Policia u përgjigj me topa uji dhe rrahje me shkopinj.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin Lukashenkën si president legjitim të Bjellorusisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat