Vazhdojnë protestat në Bjellorusi

Evropë

Vazhdojnë protestat në Bjellorusi

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 06:09
Bjellorusi

Mijëra bjellorusë zhvilluan demonstrata masive të mërkurën në mbrëmje për të denoncuar inaugurimin në fshehtësi të Presidentit Aleksandër Lukashenko. Forcat e sigurisë në kryeqytetin e vendit Minsk, përdorën pompat e ujit dhe tërhoqën zvarrë shumë prej protestuesve të mbledhur pasi agjencia shtetërore e lajmeve Belta, njoftoi se 66-vjeçari Aleksandër Lukashenko ishte betuar për mandatin e tij të gjashtë. Inaugurimi i tij vjen si sfidë ndaj demonstratave masive ku kërkohet largimi i tij për shkak të saj, që shumë thonë se ishte një proces i manipuluar. Por zoti Lukashenko këmbëngul se ai i fitoi zgjedhjet e 9 gushtit me një rezultat dërrmues prej 80 për qind të votave megjithë pretendimet e përhapura si brenda ashtu edhe jashtë vendit se zgjedhjet u manipuluan për të ruajtur pushtetin e tij 26 vjecar.

"Ne nuk kemi zgjedhur thjesht një president. Ne mbrojtëm vlerat, të jetuarit në paqe, sovranitetin e pavarësinë tonë”, tha zoti Lukashenko duke iu drejtuar një auditori prej disa qindra zyrtarësh të mbledhur me rastin e inaugurimit të tij. "Nuk mundem dhe nuk kam të drejtë t'i braktis bjellorusët", tha ai.

Autoritetet bllokuan kryeqytetin e vendit Minskun, me qëllimin që të kalonte autokolona e zotit Lukashenko për ceremoninë e inaugurimit. Ngjarja nuk u transmetua në televizionin shtetëror. Asnjë personalitet i huaj, përfshirë përfaqësues nga Rusia, aleati më i ngushtë i zotit Lukashenko, nuk ishin në ceremoni.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, senatori amerikan Jack Reed, një anëtar i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, tha se ceremonia klandestine është një tjetër tregues se zoti Lukashenko ka humbur mbështetjen e popullit bjellorus.

"Populli bjellorus ka treguar vërtet një guxim e përkushtim të madh. Ata nuk i janë trembur terrorit, shtypjes, sulmeve nga forcat e policisë. Ata vazhdojnë të kthehen. Ata duan që Lukashenko të largohet dhe po bëjnë gjithçka që munden paqësisht, për ta detyruar atë të largohet", tha zoti Reed.

Brenda disa orësh nga inaugurimi sekret, Sviatlana Tikhanouskaya, rivalja kryesore në zgjedhje e zotit Lukashenko, përmes një deklarate e quajti këtë zhvillim një "farsë".

"Sot, i fshehur nga njerëzit, Lukashenko u përpoq të kryente inaugurimin e tij", tha zonja Tikhanouskaya, duke shtuar se ai nuk “është as kreu legjitim i Bjellorusisë". “Unë Sviatlana Tikhanouskaya jam udhëheqësja e vetme e zgjodhur e popullit bjellorus. Qëllimi ynë aktualisht është të ndërtojmë së bashku një Bjellorusi të re", tha zonja Tikhanouskaya. Por ajo ka thënë vazhdimisht se nuk ka ndërmend të marrë detyrën si presidente dhe se në vend të kësaj do të bënte thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme, sapo zoti Lukashenko të largohej nga pushteti.

Disa vende evropiane mes tyre Gjermania, Danimarka dhe vendet baltike kanë bërë të ditur se nuk do ta njohin më qeverinë e Lukashenkos. BE-ja ka bërë thirrje për sanksione kundër përgjegjësve për manipulimin e zgjedhjeve dhe dhunës ndaj protestuesve paqësorë. Rusia, mbështetësja kryesore e zotit Lukashenkos mes trazirave politike, nuk bëri ndonjë deklaratë zyrtare pas inagurimit të tij, por ka thënë më parë se tani për tani njeh zotin Lukashenko si udhëheqësin legjitim të vendit. Opozita bjelloruse bëri menjëherë thirrje që protestuesit të mbushin rrugët e kryeqytetit të mërkurën në mbrëmje, duke ndjekur një model të mosbindjes qytetare që nga procesi zgjedhor, që pjesëmarrësit e kanë cilësuar si "rizgjim kombëtar". Për gjashtë javë rresht qindra mijëra vetë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e zotit Lukashenko duke argumentuan se zgjedhjet u manipuluan./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat