Fundi i rehatisë gjermane në krizën e Coronës

Evropë

Fundi i rehatisë gjermane në krizën e Coronës

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 10:51
Gjermani

Gjatë gjithë verës gjermanët mendonin, se e kishin nën kontroll pandeminë e Coronës dhe se më e keqja kishte kaluar. Aq më keq mund të bëhet tani situata në vjeshtë dhe në dimër, mendon Jens Thurau.    

Sa herë e kemi shkruar këtë fjali në muajt e shkuar? Në raportime, opinione, intervista? Që Gjermania krahasimisht e ka kaluar mirë periudhën e pandemisë. Që qeveria gjermane në tërësi vepron me mençuri dhe me kompetencë. Që pandemia tregon, se sa të suksesshme janë spitalet gjermane, zyrat e shëndetësisë, komunat. Të gjitha këto qëndrojnë edhe tani…por ngadalë se ç'po përvidhet një ndjesi tjetër, kërcënuese.

Kancelarja Angela Merkel në një bisedë në mirëbesim me gazetarët ka bërë fjalë për shqetësimin e saj, se si mendjelehtësia e rinisë dhe dimri që kemi përpara mund të na i zerojnë sukseset që kemi arritur. Më e habitshme, që pohime të tilla kanë depërtuar në publik.

Kancelarja e pakënaqur

Prej ditësh është temë në Berlin humbja e durimit të kancelares: Pakënaqësia e saj me rregullat e Coronës aq të ndryshme nga landi në land, ideja e disa kryeministrave të landeve përkundër të gjitha këshillave të ekspertëve, t'i hapin tregjet e krishtlindjeve. E pastaj vjen edhe paralajmërimi i virologut, Christian Drossten, i para disa javëve, por që përshtatet në debatin aktual: Pra që Gjermania nuk është e përgatitur më mirë për një valë të dytë, se vendet e tjera. Kjo e qëllon në shenjë situatën aktuale.

Ende, thonë përgjegjësit, sistemi shëndetësor e përballon mirë rritjen e numrit të infektimeve. E të gjitha sondazhet të flasin për një miratim të madh politikës së qeverisë e landeve për Coronën. Po pse është e shqetësuar kancelarja atëherë?

Si në shumë fusha të tjera politike, është frika për një hendek të ri në shoqëri të shkaktuar nga pandemia. E me këtë nuk kam parasysh zërat e papërtypshëm të populistëve të djathtë për fundin e të drejtave qytetare dhe lirisë. Hendeku kalon diku tjetër: Jashtë çdo arsyejeje, në shumë rajone tifozët mund të ndjekin ndeshjet e Bundesligës me deri në 10.000 spektatorë, kur në të njëjtën kohë, të afërmit luftojnë për të drejtën të vizitojnë pacientët në gjendje të rëndë në klinika. Disa nxënës duhet të mbajnë maskën edhe në mësim, të tjerë jo, sipas rajonit. Restorantet dhe birraritë jashtë janë të mbushura plot, klientët herë mbajnë distancë, herë jo, herë mbajnë maskë, herë jo. Ekspertët raportojnë për hulumtime, që të thonë se njerëzit janë bërë më indiferentë ndaj larjes së kujdesshme të duarve, dhe nuk i besojnë kushedi sa shumë një vaksine, jo si para pak muajsh. Ndërsa në firma, ka një realitet tjetër, ku kufizimet e Coronës janë liruar shumë pak.

Një mbylle e dytë është e papërballueshme

Të gjitha këto e lodhin durimin dhe solidaritetin e njerëzve jashtë mase, dhe kësaj i shtohet, se politika e di, që ekonomia, kultura dhe shoqëria një mbyllje si në mars nuk e përballojnë dot. Mbyllja ishte e ashpër, por ajo e arriti një gjë: ndjenjën e përbashkët, se kufizimet vlejnë për të gjithë.

Image
Jens Thurau

E vërtetë, që strukturat federale kanë ndihmuar në luftimin e pandemisë në Gjermani. Landi i Mecklenburg-Vorpommernit me më pak infektime mund të reagonte ndryshe nga Bavaria me më shumë infektime. Por tani ka ardhur koha për veprim të përbashkët, të identifikueshëm për të gjithë, që të mos e humbasim atë që duhet për një luftim të suksesshëm të pandemisë: Një sens të përbashkët dhe solidaritet mundësisht të të gjithë qytetarëve. Këtu bën pjesë, që të mos harrohet, se çfarë u kërkua me duartrokitje nga ballkonet në pranverë dhe u premtua nga politika: Një personel klinikash, supermarketesh dhe autoritetesh të paguar më mirë.

Kancelarja këtë javë në takimin me kryeministrat e landeve do të kërkojë më shumë veprim të unifikuar, por këtë zor se mund ta detyrojë. Të shpresojmë që do të ketë sukses. Ia vlen të diskutohet edhe ideja e austriakëve për të vendosur një semafor të Coronës në rajone, që nuk merr në konsideratë vetëm zhvillimin e kurbës së infektimeve, por edhe gjendjen e spitaleve dhe klinikave./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat