Navalny thotë se Merkel e vizitoi në spital

Evropë

Navalny thotë se Merkel e vizitoi në spital

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 13:31
Aleksei Navalny në spitalin Charite në Berlin, 22 shtator, 2020.

Politikani rus i opozitës, Aleksei Navalny, konfirmoi raportet se kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka vizituar atë në një spital të Berlinit, ku është trajtuar nga, siç është thënë, helmimi me agjentin nervor Noviçok.

“Ka pasur një takim, por nuk duhet të quhet sekret”, shkroi Navalny të hënën në Twitter, duke iu referuar raporteve të mediave se Merkel ka bërë një vizitë të pazbuluar në spitalin Charite të Berlinit, ku Navalny ka kaluar 32 ditë.

“Ka qenë një vizitë private dhe bisedë me familjen”, tha Navalny.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi revista gjermane Der Spiegel ka raportuar se Merkel i ka bërë një vizitë “sekrete” Navalnyt kur ai ka qenë në spital.

Der Spiegel nuk e ka specifikuar datën e vizitës apo atë që është diskutuar.

Navalny, kritik i presidentit rus, Vladimir Putin, është liruar nga spitali javën e kaluar, por vazhdon të mbetet në Gjermani.

Ai është sëmurë në një fluturim nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe ka kaluar gati tri javë në gjendje kome.

Pasi ka kaluar 48 orë në një spital rus, ku mjekët kanë thënë se nuk kanë gjetur gjurmë të ndonjë helmimi, Navalny është transferuar në spitalin Charite.

Mjekët atje kanë gjetur gjurmë të agjentit nervor Noviçok në trupin e tij.

Gjetjet e tyre janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga laboratorët në Francë dhe në Suedi.

Përkundër akuzave nga aleatët e Navalnyt se agjentët e Kremlinit e kanë helmuar atë, Qeveria ruse i ka rezistuar presionit ndërkombëtar për të hapur hetime.

Kremlini e mohon helmimin e Navalnyt, duke thënë se nuk ka prova për të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat