Drejtori i Muzeut të Aushvicit vetëofrohet të vuajë dënimin e një 13-vjeçari nigerian

Evropë

Drejtori i Muzeut të Aushvicit vetëofrohet të vuajë dënimin e një 13-vjeçari nigerian

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 15:40
Piotr Cywinski

Piotr Cywinski, drejtori i muzeut shtetëror polak ”Auschwitz-Birkenau”, i shkroi presidentit të Nigerisë përmes Twitter-it duke i kërkuar faljen e një djaloshi 13-vjeçar, i dënuar me 10 vjet burg për blasfemi.

“Si drejtor i Memorialit të Aushvicit, i cili përkujton viktimat dhe ruan eshtrat e Kampit të Përqendrimit dhe shfarosjes naziste gjermane, ku fëmijët u burgosën dhe u vranë, unë nuk mund të qëndroj indiferent ndaj këtij vendimi të turpshëm për njerëzimin,” shkroi Cywinski.

Një kopje e letrës drejtuar presidentit nigerian, Muhammadu Buhari për çështjen 13-vjeçar, Omar Farouk u postua në llogarinë në Twitter të muzeut Auschwitz.

Në këtë letër, drejtori i muzeut deklaroi se ‘’ishte i gatshëm të vuante një pjesë të dënimit të djalit, nëse rezulton se fjalët e kësaj fëmije kërkojnë absolutisht 120 muaj burg’’.

‘’Nëse nuk jeni në gjendje ta ndryshoni atë, unë sugjeroj që në vend të fëmijës, 120 vullnetarë të rritur nga e gjithë bota, të mbledhur nga unë personalisht, ndërkohë që do të jem në mesin e tyre, të shërbejmë secili një muaj në një burg nigerian”, shkroi drejtori Cywinski.

Adoleshenti 13-vjeçar u dënua me 10 vjet burg me punë të rëndë të detyruar sepse gjatë një përleshjeje me një shok klase në shkollë ai përdori fjalë të konsideruara blasfemi në lidhje me Allahun.

Në 12 shtete nigeriane, kryesisht në veri të vendit ku ligji i sharias është në fuqi, blasfemia mund të dënohet me dënim me vdekje, pavarësisht se qeveria nigeriane ka deklaruar tërheqjen nga dënimi, katër vjet më parë.

Rasti i Farouk ka shkaktuar protesta në të gjithë botën. Më 16 shtator, përfaqësuesi i UNICEF në Nigeri, Peter Hawkins, paraqiti një protestë zyrtare te presidenti i vendit, duke treguar se Nigeria ishte nënshkruese e traktateve për të drejtat e fëmijëve

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat