Merkel viziton në spital Navalnin

Evropë

Merkel viziton në spital Navalnin

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 23:54
Alexei Navalny

Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri një vizitë personale politikanit rus të opozitës Aleksej Navalni, i cili po kurohet në një spital të Berlinit për helmim, në atë që zëvendëskancelari Olaf Scholz e quajti të hënën një "sulm vrasës".

Komenti i zotit Scholz dhe lajmi për vizitën e Kancelares Merkel ka të ngjarë ta zemërojë Moskën, e cila i ka hedhur poshtë përfundimet e ekspertëve gjermanë, francezë dhe suedezë se zoti Navalni u helmua me një agjent nervor në Rusi muajin e kaluar.

Rusia e ka kritikuar vazhdimisht Gjermaninë, duke thënë se ajo dështoi të ndajë informacionet për çështjen në fjalë.

"Ishte një vizitë personale tek Navalni në spital," tha zëdhënësi i zonjës Merkel Steffen Seibert në një konferencë të rregullt për shtyp, duke mos pranuar të japë hollësi se për çfarë u fol dhe sa kohë zgjati takimi.

Zoti Navalni shkroi në Twitter se ishte "një takim privat dhe bisedë me familjen." Ai shtoi: “I jam shumë mirënjohës Kancelares Merkel që më vizitoi në spital".

Aleksej Navalni u dërgua nga Rusia në Berlin muajin e kaluar, pasi u sëmur gjatë një fluturimi me linjat e brendshme në Rusi. Ai u trajtua në Spitalin Charite për 32 ditë para se të dilte javën e kaluar.

Zv/kancelari Scholz tha se organizatat ndërkombëtare kishin konfirmuar në mënyrë të pavarur se Navalni ishte helmuar me agjentin nervor të tipit sovjetik

Novichok, dhe i kërkoi Moskës që të bashkëpunojë në hetimin rreth asaj që ndodhi.

"Ishte një sulm i egër, vrasës," u tha zoti Scholz anëtarëve të shoqatës së shtypit të huaj VAP në Berlin.

"Dhe kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje Rusisë që të bashkëpunojë në hetim. Sigurisht, Evropa do të duhet të vendosë bashkarisht për përgjigjen e duhur,” tha ai.

Gjermania mban kryesinë e rradhës të BE-së me 27 vende anëtare.

Çështja Navalni i ka përkeqësuar më tej marrëdhëniet midis Moskës dhe një numri vendesh perëndimore. Zonja Merkel është përballur me thirrje për të pezulluar tubacionin gati të përfunduar të gazit Nord Stream 2, i cili ka për qëllim të sjellë më shumë gaz rus drejtpërdrejt në Gjermani.

I pyetur nëse sanksionet evropiane kundër Rusisë duhet të përfshijnë edhe tubacionin Nord Stream 2, zoti Scholz tha se tubacioni është projekt në pronësi private i afro 100 kompanive, duke shtuar se ndërtimi i tij do të ulte varësinë e Gjermanisë në sektorin e energjisë.

Nord Stream 2 drejtohet nga gjigandi shtetëror rus i gazit Gazprom, me gjysmën e fondeve të siguruara nga Uniper i Gjermanisë dhe filiali Wintershall i BASF, kompania anglo-holandeze Shell, si dhe OMV dhe Engie të Austrisë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat