Merkel kërkon masa më të ashpra kundër pandemisë

Evropë

Merkel kërkon masa më të ashpra kundër pandemisë

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 15:55
Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të kërkojë që 16 landet e Gjermanisë të bien dakord për masa më të ashpra kundër pandemisë, nëse rriten rastet e infektimeve me koronavirus.

Merkel, do të bisedojë me udhëheqësit e landeve të martën për masat që mund të përfshijnë mbajtjen e maskave dhe ndalimin e alkoholit, në mënyrë që autoritetet të mos detyrohen të bllokojnë gjithë Gjermaninë, si në muajin mars.

"Qëllimi kryesor duhet të jetë mbajtja hapur e shkollave dhe mjediseve të kujdesit për fëmijët, si dhe funksionimi i vazhdueshëm i ekonomisë pas kufizimeve në fillim të këtij viti dhe në verë", thuhet në një dokument të qeverisë gjermane të cilin e ka parë agjencia AFP.

Por, përpara takimit, disa udhëheqës rajonal kanë shprehur kundërshtim ndaj ashpërsimit të masave.

Kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer, tha se rregullat më të rrepta kanë kuptim vetëm në vendet ku numri i të infektuarve po rritet ndjeshëm.

Kancelarja gjermane do të nxisë udhëheqësit rajonal të bien dakord për vendosjen e një tavani për numrin e njerëzve që mund të tubohen, nëse shkalla e infeksionit do të ngrihej mbi pragun e 35 rasteve të reja për 100,000 banorë, gjatë shtatë ditëve.

Të hënën, gjatë një takimi me partinë e saj CDU, Merkel kishte paralajmëruar që nëse vazhdon trendi aktual, numri i të infektuarve në baza ditore mund të arrijë në 19.200", kanë thënë burime të agjencisë AFP.

Gjermania filloi të lehtësojë masat nga fundi i muajit prill, pasi disa javësh izolimi mbarëkombëtar./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat