Krivokapiq paralajmëroh formimin e qeverisë, fton Vuçiqin në Mal të Zi

Evropë

Krivokapiq paralajmëroh formimin e qeverisë, fton Vuçiqin në Mal të Zi

Nga: D.G. Më: 13 tetor 2020 Në ora: 12:16
Zdrav

Mandatari për formimin e Qeverisë së Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, njoftoi sot se qeveria e re do të formohet deri më 10 ose 11 nëntor.

- Nuk kemi shumë kohë dhe duhet të kemi qeverinë e re deri më 10 ose 11, në mënyrë që të merremi me shumë probleme - tha Krivokapiq për TV-në serbe "Prva".

Ai përsëriti se do të ketë ekspertë në pozicionet kryesore në qeveri, por edhe ndonjë politikan.

- Është e pamundur që në mjedisin tonë qeveria të jetë plotësisht e ekspertëve, por politikanët që hyjnë në qeveri do të duhet të tregojnë ekspertizë në departamentet që drejtojnë - deklaroi Krivokapiq.

Ai nuk deshi të tregojë se kush do të jetë shefi i shërbimeve të sigurisë, por theksoi që kjo fushë duhet t'u lihet profesionistëve.

 - Ka ardhur koha që ky sektor të kujdeset vetëm për sigurinë e Malit të Zi dhe qytetarëve të tij, që ai të jetë profesionist e kompetent, i cili nuk mendon partiakisht dhe nuk i shërben një njeriu - deklaroi Krivokapiq.

Krivokapiq përsëri ftoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të vizituar Malin e Zi, duke theksuar se Mali i Zi dëshiron marrëdhënie të mira me të gjithë në rajon, mbi të gjitha me Serbinë.

Ai tha se në radhë të parë dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë, të cilat janë "pak të trazuara".

- Dua ta ftoj z. Vuçiq të vizitojë Malin e Zi, në mënyrë që ne, si dy politikanë, megjithëse unë nuk jam politikan, por jam në një pozitë të tillë, të zbulojmë se çfarë po i shqetëson marrëdhëniet dhe të gjejmë një urë që do ta kapërcejë atë - tha Krivokapiq, transmeton Bota Sot.

Ai theksoi se, me formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Ligji për lirinë e fesë do të analizohet dhe se zgjidhja më e mirë për të gjitha palët e interesuara do të "kërkohet".

- Dua ta lidh ligjin vetëm me veprimin institucional. Nëse do të jetë kjo eliminimi i tri nenev të diskutueshme dhe pjesa në lidhje me evidentimin dhe regjistrimin, ose do të jetë një ligj krejtësisht i ri, do të varet nga pikëpamjet e të gjitha palëve të interesuara - tha Krivokapiq.

Mandatari për përbërjen e qeverisë së re të Malit të Zi thotë se janë duke punuar në ringjalljen e shtetit, në të cilin të gjithë duhet të jenë bashkëpunëtorë, në mënyrë që Mali i Zi të jetë më në fund një shtet që do të jetë një shembull, jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat