Vrasja e mësuesit në Francë/ Imami: Ndjesë, mos kini frikë nga ne!

Evropë

Vrasja e mësuesit në Francë/ Imami: Ndjesë, mos kini frikë nga ne!

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 19:39
Foto

Vrasja  e tmerrshme e mësuesit në Francë nuk kaloi pa reagime të forta edhe nga vetë komuniteti mysliman atje.

Imami i Parisit, Hassen Chalghoumi bëri një apologji prekëse, duke iu lutur njerëzve të mos bien pre e frikës e duke kërkuar ndjesë për një akt të kryer nga një 18 vjeçar në emër të besimit.

Hassen Chalghoumi, imam i Parisit: A e dini çfarë thotë një fjalë e urtë për profetin e Islamit? Thotë se mësuesi është një profet, sepse mëson, përcjell mesazhe. Aq shumë I duam ne mësuesit sa u besojmë fëmijët tanë. Nuk janë fëmijët tanë ata që mund të vrasin mësuesit, nuk janë fëmijët tanë ata që kryejnë krime dhe nuk respektojnë shkollën e republikës. Ne ju kërkojmë ndjesë sepse ai u ekzekutua në emër të fesë sonë; unë vetë i kërkoj falje familjes së tij, dhe u them të gjithë njerëzve se ne nuk kemi frikë, ne nuk duhet t`i dorëzohemi frikës.

Pas sulmit makabër të së premtes, kur mësuesit 47 vjeçar Samuel Paty iu pre koka në mes të rrugës nga një i ri me origjinë cecene, e gjithë Franca u përfshi nga tubime me thirrjet pro lirisë së shprehjes dhe laicizmi. Duke respektuar udhëzimet për maska, mijëra vetë u mblodhën më herët në sheshin “Place de la Republique” të Parisit për te shprehur indinjatën e tyre, por edhe me nje mesazh për te ardhmen.

Marie-Pascale Petit, mësuese historie: Ne do të vazhdojmë të luftojmë për nxënësit tanë, do të vazhdojmë t`i mësojnë atyre sesi te mendojnë me kokën e vet, t`i japin dije që t`i ndihmojnë ta kuptojnë më mirë këtë botë, ta kuptojmë më mirë se kush janë. Asgjë nuk na ndalon dot. Jam krenare që jam mësuese. 

Tronditja dhe revolta që përfshiu vendin i ngjante në shumë mënyra dhimbjes që përfshiu Francën gjashtë vjet më parë kur miliona protestues me lapsa në duar dolën për të mbrojtur lirinë e shprehjes, pas sulmeve terroriste në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo. Policia franceze ka mësyrë shtëpitë e dhjetëra personave të dyshuar si islamikë radikalë, e disa prej personave që po merren në pyetje kishin postuar mesazhe në mbështetje të vrasësit të Samuel Paty.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat