Moska pritet të nisë vaksinimin kundër koronavirusit brenda javësh

Evropë

Moska pritet të nisë vaksinimin kundër koronavirusit brenda javësh

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 22:14
Sergei Sobyanin

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se vendi që ai udhëheq do të nisë vaksinimin masiv kundër koronavirusit në periudhën “dhjetor-janar”, teksa synon të hapë dy spitale tjera, ashtu që autoritetet të përballen më lehtë me rritjen e numrit të rasteve të infektimit.

Sobyanin e ka bërë këtë njoftim në faqen e tij online më 19 tetor, pa dhënë detaje sesi do ta menaxhojë qyteti këtë proces.

Në muajin gusht, Rusia ka miratuar vaksinën për koronavirus, të ashtuquajtur Sputnik-V për përdorim të brendshëm, njëherësh vendi i parë që ka marrë një hap të tillë, duke nxitur debate në mesin e komunitetit ndërkombëtar të shkencëtarëve, të cilët kanë pretenduar se nuk janë kryer teste të mjaftueshme për të.

Mirëpo zyrtarët shëndetësorë rusë kanë përkrahur vaksinën.

Rusia ka miratuar tashmë vaksinën e dytë dhe ishte planifikuar të nisë testimin e së tretës më 19 tetor.

Ky vend, që renditet i katërti në botë për nga numri i të prekurve me këtë virus, apo mbi 1.4 milionë të infektuar, është duke përjetuar valën e dytë të rasteve, sikurse shumë vende tjera në botë.

Pandemia me koronavirus në Moskë “është jashtëzakonisht e rëndë” dhe kryeqyteti është duke u përballur me “pikun serioz” të krahasueshëm me pranverë, ka thënë Sobyanin.

Dy objektet e reja spitalore do të ndërtohen brenda një parku lokal dhe një qendre tregtare të madhe.

Këto qendra pritet të kenë kapacitet për të trajtuar rreth 3,500 pacientë me koronavirus.

Moska ka regjistruar 5,376 raste të reja më 19 tetor, njëherësh numrin më të madh prej 12 majit.

Autoritetet e qytetit kanë nisur të ashpërsojnë masat për të parandaluar përhapjen e virusit.

Policia në Moskë është duke patrulluar transportin publik për të siguruar që njerëzit janë duke vendosur maskat, ndërkohë që qeveria është duke gjurmuar në mënyrë digjitale personat që vizitojnë baret dhe klubet tjera.

Autoritetet e Moskës po ashtu u kanë kërkuar kompanive që të punojnë sa më shumë nga shtëpitë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat