Ndotja e ajrit i kushton Evropës 166 miliardë euro në vit

Evropë

Ndotja e ajrit i kushton Evropës 166 miliardë euro në vit

Nga: D.G. Më: 21 tetor 2020 Në ora: 11:33
Ilustrim

Ndotja e ajrit i kushton Evropës 166 miliardë euro në vit, sipas një raporti të publikuar të mërkurën, në të cilin shqyrtohen kostot e vdekjes së parakohshme, sëmundjeve dhe ditëve të humbura të punës për shkak të ndotjes në 432 qytete evropiane.

Ky raport, të cilin e ka bërë CE Delft-i për Aleancën evropiane të shëndetit Publik (EPHA), një platformë jo-qeveritare me bazë në Bruksel, shqyrton 432 qytete në 27 vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Studimi krahason tre ndotësit kryesorë të ajrit - grimcat e pluhurit, dioksidi i karbonit dhe ozoni, dhe kostot e tyre që lidhen me trajtimin, jetëgjatësinë e zvogëluar ose sëmundje të tilla si bronkiti i rëndë kronik dhe të ngjashme.

Londra kryeson qytetet me kostot më të larta të lidhura me ndotjen (11.4 miliardë euro), përpara Bukureshtit dhe Berlinit, ndërsa Parisi është në vendin e shtatë.

"Hulumtimi ynë zbulon se sa i dëmshëm është ajri toksik, por edhe sa pabarazi të konsiderueshme ekzistojnë midis vendeve të ndryshme evropiane," komenton sekretari i përgjithshëm i EPHA, Sascha Marschang, i cili shton se "politikat e transportit publik mund të përmirësojnë situatën dhe qytetet mund të ulin kostot me inkurajimin e lëvizshmërisë që nuk ndot mjedisin ".

Ndotja e ajrit në qytete është rezultat i disa faktorëve - transportit, ngrohjes së shtëpive apo edhe aktivitetet industriale ose bujqësore. Megjithëse është e vështirë të vlerësosh saktë pjesën e secilit prej këtyre sektorëve, raporti merrej me transportin dhe vlerësonte se një rritje në numrin e makinave në qytet me vetëm 1 përqind rrit kostot sociale me gati 0.5 përqind.

"Duhet të bëjmë përpjekje për të kaluar në transport më pak ndotës - ecje, çiklizëm dhe automjete elektrike", shton Marshang.

Ndotja e ajrit është përgjegjëse për 480,000 vdekje të parakohshme në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), dhe këta numra mund të jenë vetëm më të lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat