Turqia ka urdhëruar vrasjen, ndërsa urdhri është dhënë në Beograd?

Evropë

Turqia ka urdhëruar vrasjen, ndërsa urdhri është dhënë në Beograd?

Nga: D.G. Më: 23 tetor 2020 Në ora: 13:08
Flamuri turk

Një politikane austriake me origjinë kurde e lë shtëpinë vetëm nën mbrojtjen e policisë, sepse dyshohet se ekziston një plan për ta vrarë.

Sipas Deutsche welle-s, një burrë i ka treguar policisë se ai duhej të vriste politikanen austriak me origjinë kurde me urdhër të shërbimit sekret turk.

Berivan Aslan është mësuar tashmë me telefonata anonime. Dhe me mesazhe kërcënuese. Dhe me atë se në tubimet e nacionalistëve me origjinë turke mund të shihni një poster me vizatimin e një gruaje me flokë të kuqërremta kaçurrela, të varur në trekëmbësh. Është e qartë se kjo mendohet në te, anëtaren e të Gjelbërve Austriakë.

Këto ditë, politikanja me origjinë kurde, e lindur në 1981 në Turqi, ish anëtar i parlamentit austriak, dhe së fundmi anëtare e parlamentit në Vjenë, rrallë del nga shtëpia. Një police e armatosur qëndron para derës së banesës së saj. Dhe kur largohet nga shtëpia, Berivan Aslan e bën këtë vetëm me mbrojtjen e policisë.

Më 15 shtator, Berivan Aslan mori një telefonatë nga një numër i panjohur. Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues dhe Luftës kundër Terrorizmit (BVT) e informoi atë se një burrë që u vetëdorëzua në polici thotë se ai duhej ta kishte vrarë atë me urdhër të shërbimit sekret turk MIT.

Fejaz O. u dorëzua, siç i tha policisë, për të "shpëtuar bythën e tij". Ai kishte frikë se pas atentatit edhe vetë do të bëhej cak. Fejaz O. shkoi në stacionin e policisë në Schotenring 7-9, domethënë në ndërtesën ku ndodhet dega e Vjenës e Shërbimit Federal për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues dhe Luftën kundër Terrorizmit. Pra, ai e dinte saktësisht se ku i përkiste çështja e tij, transmeton Bota Sot.

Vdekja misterioze

Burri që u dorëzua është është 53-vjeçar, qytetar italian me origjinë turke. Ka jetuar në Maqedoninë veriore dhe kohët e fundit ishte përfshirë në një çështje misterioze penale.

Bëhet fjalë për vdekjen e një njeriu të afërmit e të cilit nuk besojnë se vendi i vdekjes i deklaruar në raportin zyrtar është i saktë. Ata tregojnë për faktin se trupi i burrit në të cilin u gjetën sasi të mëdha të drogës u gjet në banesën e Fejaz O. Por zyrtarisht thuhet një vend tjetër i vdekjes.

Në seancë dëgjimore, Fejaz O. deklaroi se ka përfunduar trajnimin në shërbimin sekret turk MIT. Dhe ai pretendon se së fundmi ka dalë në pension. Në realitet, ai njeri mund të lëvizte në një zonë gri midis shërbimit sekret dhe krimit: ai nuk është më në shërbim aktiv dhe është e mundur ta shantazhosh. Me fjalë të tjera: i përsosur për vrasës.

Autoritetet heshtin

Pesha politike e çështjes pasqyrohet gjithashtu në reagimin e autoriteteve. Në këtë rast: qartas heshtet. Zyra e prokurorit të shtetit shprehet vetëm se "nuk jepen kurrëfarë informacionesh në lidhje me atë rast". Shërbimi për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues dhe Luftën kundër Terrorizmit është gjithashtu i heshtur. Ministria e Brendshme vlerëson se ai është fjala për një "njeri që duket se është i sëmurë mendor" dhe që u dorëzua. Dhe se nuk ekziston asnjë "kërcënim akut".

Fejaz O. u la i lirë dhe jetoi në një hotel jo shumë larg Naschmarktit të Vjenës. Vetëm më vonë iu caktua paraburgimi. Dhe tani autoritetet nuk e komentojnë fare çështjen.

Fushata parazgjedhore e pamundur

Mkirëpo, Berivan Aslan ka qenë nën shoqërimin e policisë 24 orë në ditë që nga fillimi. Dhe kjo gjatë fushatës zgjedhore në Vjenë, ku ajo kandidoi për një vend në parlamentin provincial. Por nuk mund të ketë fushatë të vërtetë në rastin e saj.

Përndryshe, aktualisht ka debate të nxehta për atë që ajo është e angazhuar. Për vite, Berivan Aslan është marrë me çështjet e integrimit, aktivitetet e Partisë së drejtësisë e përparimit (AKP) të presidentit turk Erdogan në Evropë dhe rrjetin e lëvizjes turke të krahut të djathtë "Ujqërit gri" jashtë Turqisë.

Image

"Ujqërit gri dhe islamistët

Në qershor, kishte disa ditë incidentesh dhe përplasjesh rrugësh në Vjenë: nacionalistët me origjinë turke dhe islamistët sulmuan demonstratat e majta dhe mjediset e klubeve të majta. Shumë shpejt u bë e qartë se këto sulme ishin të koordinuara dhe të përgatitura. Ministria e brendshme e Austrisë madje vlerësoi se shërbimi sekret turk mund të ishte përfshirë në to. Ministri i brendshëm Karl Nehammer deklaroi se "ka indikacione për këtë". Hetimi për këtë çështje është ende duke vazhduar dhe "ka gjithnjë e më shumë indikacione", u tha me kërkesë të gazetarëve.

Strukturat dhe rrjeti i komunitetit me origjinë turke, përkatësisht lidhja e saj me autoritetet turke, nuk janë aspak të qarta. Biografia e Fejaz O., i cili u vetëdorëzua në polici, është e errët. Ai pretendon se koordinatorët e veprimeve në Austri janë në Ballkan. Fejaz O. thuhet se mori udhëzime për vrasjen në Vjenë "në restorantin turk 'Mesopotamia' në Beograd".

Kërcënimi është real

"Vetëm njerëzit e vegjël" janë aktivë në Austri, tha Fejaz O. në seancë. Por ata kanë mbështetje të fortë. Berivan Aslan tregon për një "rrjet shumë të koordinuar xhamish dhe shoqatash" që mbulojnë të gjithë spektrin politik të krahut të djathtë, nga më pak sekular-ultranacionalistë deri të militantë-islamikë. Kjo konfirmohet nga incidentet e lartpërmendura në qershor në Vjenë. Shumë sulmues më pas treguan "përshëndetjen e ujkut" të Ujqërve gri. Shumë sish bërtisnin parullat e organizatës terroriste "Shteti Islamik".

Berivan Aslan pretendon se shumë xhami dhe shoqëri kulturore përdoren si "seli e partisë AKP".

"Ata gjejnë njerëz që janë në margjina të shoqërisë", thotë Berivan Aslan. Dhe sapo të përfshihen në ato qarqe, u transmetohet atyre ndjenja e mëposhtme: "Ju gjithmonë do të trajtoheni si një njeri i klasit të dytë këtu në Austri. Por, pas jush është Turqia e fortë ".

Kjo është njëra anë. Tjetra është: spiunimi, indoktrinimi, kërcënimet, shpifjet, dhuna psikologjike. Kjo është arsyeja pse një grua police e armatosur qëdnrin para derës së Berivan Aslan. Dhe kjo është arsyeja pse ekziston mbrojtja e policisë: sepse kërcënimi i një snjësiti të shërbimit sekret turk MIT është po aq real sa edhe kërcënimi i sulmuesve individualë radikalë.

Pasojat për Ankaranë?

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari dhe duke mos e lidhur çështjen specifike të Berivan Aslan, ministri i brendshëm Nehammer tha: "Nëse Erdogani dhe Turqia po përpiqen të organizojnë sistematikisht një rrjet informatorësh në Austri, atëherë kjo duhet të ketë pasoja." Çfare - kjo ende nuk shihet në horizont.

"Fakt është se që nga viti 2016, për njerëzit në austri po mblidhen informacione të inteligjencës në mënyrë të synuar dhe bazuar në atë informacion, njerëzit po arrestohen në Turqi," thotë Berivan Aslan. Ajo u referohet shtetasve të arrestuar turq që jetonin në Austri, gjë që nuk ka pasur ndonjë pasojë për qeverinë në Ankara deri më tani.

Dhe në mes të kësaj situate të komplikuar, Fejaz O. shkon në stacionin e policisë dhe fillon të flasë: në pranverë, ai dyshohet se mori një urdhër vrasje. Fakti që ai dëmtoi këmbën, si dhe bllokimi nga koronavirusi dyshohet se shtyu gjithçka. Por tani, pohon ai, vetëm po e priste një telefonatë me urdhër për të kryer vrasje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat