Evropa po përgatitet për më të keqen e asaj që mund të ngjasë në Uashington

Evropë

Evropa po përgatitet për më të keqen e asaj që mund të ngjasë në Uashington

Nga: Markus Becker, Christiane Hoffmann & Peter Müller Më: 23 tetor 2020 Në ora: 18:01
Foto ilustrim

Një skenar “horror” po tmerron këto ditë zytarët në Berlin dhe Bruksel: Nëse rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në SHBA do të jetë i ngushtë, presidenti aktual Donald Trump mund ta shpallë veten fitues kur të mbyllen kutitë e votimit, edhe nëse verdikti final mund ta nxjerrë humbës.

Ai mund ta pretendojë para kohe dhe në mënyrë të paligjshme presidencën për një mandat.

E çfarë do të ndodhte atëherë? Dikush mund të imagjinojë një skenar në të cilin presidenti brazilian Zhair Bolsonaro nxiton të urojë presidentin e “rizgjedhur” të SHBA në Natën e Zgjedhjeve, i pasuar nga Princi saudit i Kurorës Muhamed bin Salman, diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong Un, dhe ndoshta edhe presidenti rus Vladimir Putin.

Së shpejti mund të pasojnë edhe urimet e para nga Evropa, për shembull nga kryeministri hungarez Viktor Orban, apo homologu i tij polak Mateush Moraviecki. Në fakt nëse plas një krizë kushtetuese në Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjeve, në Evropë ka shumë shqetësime se kjo mund ta përçajë sërish BE-në.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë gjithmonë të tensionuara. Por këtë herë gjërat janë ndryshe. Në lojë është më shumë sesa thjesht ndryshimi normal i politikës së jashtme të SHBA-së, kur një presidenti i ri hyn në Shtëpinë e Bardhë. Dhe është më shumë sesa rreziku që 4 vjet të tjera të Trumpit, mund të dëmtojnë në mënyrë fatale marrëdhëniet trans-atlantike.

Zgjedhjet e ardhshme në SHBA janë unike, pasi përveç dy rezultateve të mundshme, në diskutim është edhe një i tretë:Çfarë do të ndodhë nëse Donald Trump, refuzon të largohet nga Shtëpia e Bardhë edhe nëse humbet zgjedhjet?

Nëse do të ndodhte kjo, do të vihej në provë stabiliteti i demokracisë amerikane. Ky skenar mund të vërë në pikëpyetje edhe të ardhmen e demokracisë si një formë e qeverisjes. Dhe si mund të përgatitet Evropa për një skenar të tillë? Zyrtarët në Berlin dhe Bruksel, janë të kujdesshëm dhe nuk duan të spekulojnë publikisht.

Tek e fundit, ata nuk duan që t’i japin Trumpit edhe më shumë argumente, nëse ai del fitimtar më 3 nëntor. Por në prapaskenë, politikanët dhe diplomatët evropianë e kanë bërë të qartë se e shohin si një mundësi shumë reale një skenar të tillë të tretë. Madje disa politikanë, e kanë shprehur hapur shqetësimin e tyre.

“Unë jam i vetëdijshëm mbi rrezikun që nëse rezultati i zgjedhjeve është i ngushtë, Trump mund të shpallë fitoren para kohe, dhe SHBA-ja mund të zhytet në një krizë kushtetuese”- thotë Peter Bejer, parlamentar demokristian i partisë së Angela Merkel (CDU) dhe koordinatori trans-atlantik i qeverisë gjermane.

Në Bruksel, një diplomat i vjetër i BE-së dërgoi së fundmi një raport konfidencial – të cilin e zotëron dhe “Der Spiegel” – nga Uashingtoni, në të cilin paralajmëroi se një skenar i tillë nuk mund të shpërfillet. Raporti vë në dukje se SHBA rrezikon të bjerë në një krizë të tillë, e cila mund të zgjasë për disa muaj, dhe të ketë pasoja shumë negative për pjesën tjetër të botës.

Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Jashtme gjerman, është pak më i kujdesshëm në formulimin e tij:”Nuk mund të përjashtohet mundësia, që nëse rezultati është shumë i ngushtë, situata të jetë konfuze ashtu sic ndodhi në zgjedhjet e vitit 2000”. Atë vit, mungesa e qartësisë se kush i kishte fituar zgjedhjet çoi në rinumërimin e votave në Florida.

Por Gjykata e Lartë e ndaloi procesin, duke shpallur fitues Xhorxh W.Bush. Siç vuri në dukje një komisioner evropian në një intervistë në kushte anonimiteti, Evropa shpreson në një rezultat të qartë nga këto zgjedhje. Rainhard Bytikofer, deputet i Partisë së Gjelbër në Parlamentin Evropian, shton:”Nëse ne në BE jemi të zgjuar, duhet ta mbajmë gojën mbyllur, dhe të shpresojmë që demokracia amerikane të jetë mjaftueshëm e fortë për t`a zgjidhur këtë problem”.

Por jo të gjithë duan të rrinë duarkryq dhe të presin. “Ne në Gjermani dhe Evropë duhet të përgatitemi. Nuk kemi luksin të presim”- paralajmëron Bejer. Disa diplomatë janë të shqetësuar se nëse në SHBA ndodh një krizë kushtetuese, BE nuk do të ishte në gjendje të kishte një qëndrim të unifikuar.

“Nëse rezultati i zgjedhjeve në SHBA nuk është plotësisht i qartë, admiruesit evropianë të Donald Trumpit, mund të nxitojnë të rreshtohen në anën e tij dhe ta përçajnë BE-në”-paralajmëron Franziska Brantner, parlamentare e Partisë së Gjelbër për Çështjet Evropiane.

Dhe fakt është se brenda unionit ka interesa konkurruese. Shumica e 27 vendeve anëtare të bllokut po shpresojnë për një fitore të demokratit Xho Bajden.

Ata shpresojnë se ai do t’i kthejë SHBA-së qasjen e saj tradicionale multilaterale si një partner i besueshëm i aleancës. Por vende si Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke preferojnë një fitore të Trump. Tomas Klaine-Brokhof, nënkryetari i think-tankut “German Marshall Fund”, sheh tre kampe evropiane. “Atë të francezëve, që dëshirojnë një autonomi strategjike, atë të evropiano-lindorëve, të cilët kërkojnë një përqafim strategjik të SHBA-së, dhe atë të gjermanëve, angazhimi i të cilëve për një ‘durim strategjik’, çon nganjëherë në një ‘inerci strategjike”- thotë ai.

Klaine-Brokhof shton se zgjedhjet në SHBA nuk janë aq të rëndësishme për çdo qeveri tjetër evropiane sa janë për qeverinë gjermane, teksa “Gjermania beson se në këto zgjedhje në lojë është vetë rendi botëror”. Ka të ngjarë që vendet kryesore të BE-së të heshtin në fillim, nëse rezultati i zgjedhjeve në SHBA është i paqartë.

Por kjo qasje do të bëhej më e vështirë nëse Trump do të shpërfillte një fitore të qartë të Bajdenit. A do të guxonte në ato kushte BE t`a cilësonte të paligjshme praninë e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, siç bëri së fundmi ndaj Aleksandër Llukashenkos në Bjellorusi?

“BE do të duhet të marrë shpejt një pozicion të caktuar”- thotë Elmar Brok, ish-anëtar i Parlamentit Evropian nga radhët e CDU. “Ajo nuk mund të veprojë ndryshe nga rastet e tjera”- shton ai.

Disa mendojnë se Parlamenti Evropian do të miratojë një rezolutë të ashpër, nëse Trump përpiqet të mbajë pushtetin në mënyrë të paligjshme. Por për Martin Shirdevan, udhëheqësin e grupin parlamentar të Partisë së Majtë në PE, kjo nuk është e mjaftueshme. “Nëse BE dëshiron të jetë mbrojtëse kryesore e demokracisë, duhet të ketë të njëjtën qasje ndaj SHBA-së, ashtu si ndaj vendeve si Bjellorusia”- thotë ai.

Por ka nga ata që paralajmërojnë të mos presin shumë nga zgjedhjet e 3 nëntorit. “Ne jemi shumë të fiksuar pas zgjedhjeve amerikane”- thotë Sigmar Gabriel, kreu i think-tankut “Atlantik-Brücke” dhe ish-Ministri i Jashtëm i Gjerman-së. “Problemet e Evropës, nuk kanë asnjë lidhje me ato të SHBA-së. Ne do të vazhdojmë t’i kemi ato pavarësisht se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë”- thekson ai. / Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat