Si merr fund një pandemi? Leksione që mund t’i mësojmë nga gripi spanjoll i një shekulli më parë

Evropë

Si merr fund një pandemi? Leksione që mund t’i mësojmë nga gripi spanjoll i një shekulli më parë

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 19:14
Ilustrim

Më shumë se gjashtë muaj pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli COVID-19 një pandemi, një pyetje mbetet pa përgjigje. Si do të marrë fund kjo pandemi?

Shumë thonë se vetëm një vaksinë do t'i japë fund kësaj pandemie, por mënyra se si do të arrijmë atje mbetet për t'u parë. Duket e sigurt të thuhet se një ditë, në njëfarë mënyre, e gjithë kjo do të marrë fund. Mbi të gjitha, pandemitë e tjera virale kanë marrë fund një ditë. Marrim këtu si shembull, pandeminë e gripit të viteve 1918-1919.

Kjo pandemi ishte më vdekjeprurësja në shekullin e 20-të; infektoi rreth 500 milionë njerëz dhe vrau të paktën 50 milionë, përfshirë 675,000 në Shtetet e Bashkuara. E ndërsa njohuritë shkencore të viruseve dhe zhvillimit të vaksinave kanë përparuar dukshëm që nga ajo kohë, pasiguria që është ndjerë një shekull më parë, ndihet njësoj në të gjithë botën edhe sot.

Edhe pasi ai virus u shua, do të kalonin vite para se shkencëtarët të kuptonin më mirë se çfarë ndodhi dhe disa gjëra ende mbeten një mister. Ja çfarë dimë: në mënyrë që një pandemi të marrë fund, sëmundja në fjalë duhet të arrijë në një pikë në të cilën nuk është në gjendje të gjejë me sukses njerëz të mjaftueshëm për t’i kapur, që më pas ta përhapin atë.

Në rastin e pandemisë së vitit 1918, bota në fillim besonte se përhapja do të ndalonte në pranverën e vitit 1919, por ajo u rrit përsëri në fillim të vitit 1920. Ashtu si me llojet e tjera të gripit, ky grip mund të jetë bërë më aktiv në muajt e dimrit sepse njerëzit po kalonin më shumë kohë në ambiente të mbyllura dhe afër me njëri-tjetrin, por edhe sepse nxehtësia artificiale dhe zjarret thajnë lëkurën dhe çarjet e lëkurës në hundë e gojë duke siguruar "pika perfekte hyrëse për virusin", shpjegon Howard Markel, mjek dhe drejtor i Qendrës për Historinë e Mjekësisë në Universitetin e Miçiganit.

Gripi "ka tendencë të qetësohet kur moti i ftohtë largohet, por askush nuk e di pse", thotë Markel.

Por, nga mesi i vitit 1920, vala e gripit vdekjeprurës ishte zbehur, aq sa pandemia kishte mbaruar në shumë vende, edhe pse nuk mund të thuhej që fundi kishte ardhur.

"Fundi i pandemisë ndodhi sepse virusi qarkulloi rreth globit, duke infektuar mjaftueshëm njerëz sa popullata botërore nuk ishte më aq e prekshme sa gripi të kthehej përsëri në një pandemi. Kur të ketë mjaft njerëz që fitojnë imunitet, infeksioni ngadalë do të shuhet sepse është më e vështirë për virusin të gjejë strehues të rinj të prekshëm", thotë historiani i mjekësisë J. Alexander Navarro, kolegu i Markel dhe ndihmësdrejtor i Qendrës për Historinë e Mjekësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat