Zgjedhje lokale historike në Ukrainë

Evropë

Zgjedhje lokale historike në Ukrainë

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 16:43
Ukrainë

Në të gjithë Ukrainën po zhvillohen sot (e dielë) zgjedhjet lokale të cilat mbahen pas miratimit të një kodi të ri zgjedhor që garanton për organet e qeverisjes vendore decentralizimin e pushtetin nga Kievi.

Këto zgjedhje shihen si më të rëndësishmet në historinë moderne të vendit, ku pritet ndryshimi i gjithë zyrtarëve lokalë si dhe një pavarësi e zgjeruar finaciare e politike për organet e qeverisjes lokale.

Reforma është vlerësuar si një hap i rëndësishëm që do të krijojë një administratë të re ndryshe nga modeli i qeverisjes deri më tani nga lart-poshtë, të cilën vendi e ka trashëguar nga Bashkimi Sovjetik, e që ka mbetur kryesisht e pandryshuar gjatë tre dekadave të pavarësisë.

Zgjedhjet e 25 tetorit shihen gjithashtu si një provë e rëndësishme për Presidentin Volodymyr Zelenskiy, i cili u zgjodh me një shumicë dërrmuese në fillim të vitit 2019 si dhe partia e tij Shërbëtori i Popullit.

Sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë se rreth 70 për qind e ukrainasve besojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar, ndërsa vlerësimi ndaj zotit Zelenskiy ka rënë nën 50 për qind.

Sipas ligjit të ri zgjedhor 40 për qind e vendeve të këshillit lokal duhet t’u jepen grave. Ndërkohë sot nuk pritet të zhvillohen zgjedhje në rajonin e Detit të Zi, në Krime, i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014 dhe në disa pjesë të rajoneve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, atje ku formacionet separatiste të mbështetura nga Rusia vazhdojnë të luftojnë kundër Kievit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat