Zgjedhjet në SHBA, francezët mbështesin këtë kandidat

Evropë

Zgjedhjet në SHBA, francezët mbështesin këtë kandidat

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 08:16
Flamuri amerikan dhe francez

Marrëdhënia midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara rrallë herë ka qenë kaq e distancuar sa tani, thonë ekspertët. Ndërsa zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara po afrojnë, sondazhet tregojnë se shumë francezë shpresojnë për një riforcim të marrëdhënieve nën një udhëheqës të ri në Shtëpinë e Bardhë.

Operacioni joshja nisi tre vjet më parë, kur Presidenti i sapozgjedhur i Francës Emmanuel Macron ftoi homologun e tij amerikan Donald Trump, për festimet e Ditës së Bastijës. Pas një fillimi të tensionuar, të dy udhëheqësit dukej se patën një shkëmbim të mirë.

Por muaji i mjaltit nuk zgjati shumë për shkak të dallimeve të mëdha në çështjet si ndryshimi i klimës, marrëveshja bërthamore me Iranin dhe Bashkimi Evropian.

Presidenti Macron mbështet marrëveshjet shumëpalëshe si ajo e Parisit për Klimën, marrëveshjen bërthamore të Iranit, nga e cila administrata Trump u tërhoq dhe një BE të fortë për të cilën presidenti amerikan është skeptik.

"Përpjekjet e hershme të zotit Macron për të tërhequr zotin Trump nuk ishin të suksesshme. Marrëdhëniet nuk janë prishur, por ato nuk po afrohen aspak”, thotë ekspertja e marrëdhënieve Francë-SHBA, Nicole Bacharan.

Vitin e kaluar, Presidenti Macron paralajmëroi se NATO po përjetonte një "vdekje klinike", duke sugjeruar se Uashingtoni po ia kthente shpinën aleancës ushtarake. Administrata Trump thotë se NATO-ja mbetet e rëndësishme, por ajo dëshiron që evropianët të ndajnë në mënyrë të drejtë barrën financiare të aleancës.

"Francezët, për shkak se luajnë një rol të veçantë diplomatik në Evropë, e dinë se nuk mund të mbështeten aq shumë tek aleati I tyre përtej Atlantikut tani për tani", thotë Tara Varma, kryetare e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Sondazhet tregojnë se në përgjithësi ka një perceptim negativ nga evropianët për Presidentin Trump. Qytetarët francezë dhe qytetarë të tjerë evropianë mbështesin rivalin e Presidentit Trump, demokratin Joe Biden, edhe pse shumë prej tyre nuk janë entuziastë për të.

“Bideni është i sinqertë. Ai është i rrethuar nga njerëz të mirë. Ai dëshiron të punojë me të gjithë botën”, thotë banori i Parisit, Hacene Delmi.

“Nënpresidenti Joe Biden tashmë ka thënë se nëse zgjidhet, ai do të rikthejë vendin në marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe në Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Unë mendoj se ai do të përpiqej të forconte besimin e evropianëve në aleancën e NATO-s", thotë Tara Varma, kryetare e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Unë e shoh zotin Trump si një lloj diktatori. Mendimet e tij përfaqësojnë një pjesë ekstremiste të Amerikës”, thotë banorja e Parisit, Ottavia Astuto

Jo të gjithë në Francë janë anti-Trump. Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë, partia më e madhe e opozitës në Francë, mbështet përgjithësisht administratën e tij, së bashku me disa konservatorë.

Marrëdhëniet Francë-Sh.B.A., që filluan pak kohë pas Revolucionit Amerikan, kanë pasur pika të ulëta më parë, përfshirë kundërshtimin e Francës ndaj veprimeve ushtarake amerikane në Irak gati dy dekada më parë.

Megjithatë, ekspertët thonë se dallimet e sotme janë më thelbësore dhe më afatgjata. Edhe para zgjedhjes së Presidentit Trump, fokusi i Amerikës ishte zhvendosur diku tjetër, në Azi, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine.

Ata thonë se pas braktisjes nga Uashingtoni të marrëveshjeve kryesore, të nënshkruara nga administrata e mëparshme e Presidentit Obama, besimi francez dhe evropian në Shtetet e Bashkuara është gërryer.

“A mund t’i besojmë firmës, angazhimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara? Jo, nuk mundemi. Kjo do të ndodhë gjithmonë sepse e dimë që një president i ardhshëm mund të zhbëjë atë që është arritur më parë”, thotë ekspertja e marrëdhënieve SHBA-Francë, Nicole Bacharan.

Megjithatë, ende ka shumë njerëz që i shohin marrëdhëniet franko-amerikane dhe ato transatlantike, si lidhje me themele të forta. Në fusha si shkëmbimet kulturore apo ushtarake, të dy palët ende kanë një bashkëpunim të ngushtë. Lidhjet mund të jenë dobësuar, por ato ka të ngjarë të vazhdojnë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat