​Evropa synon të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj klimës deri më 2050

Evropë

​Evropa synon të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj klimës deri më 2050

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 23:15
Foto ilustrim

Ambicia e Evropës për t'u bërë kontinenti i parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050 është rrezikuar pasi eurodeputetët votuan të vazhdojnë të mbështesin praktikat bujqësore që kontribuojnë në ngrohjen globale, thanë eurodeputetët dhe aktivistët mjedisorë, sipas një analize të Reuters.

Parlamenti Evropian të premten miratoi qëndrimin e tij mbi reformën e Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), e cila është kritikuar nga aktivistët mjedisorë, duke përfshirë Greta Thunberg të Suedisë, të cilët thonë se kjo do të përkeqësojë krizën e klimës.

Këshilli i BE javën e kaluar miratoi gjithashtu qëndrimin e tij për bisedimet e reformës, të cilat do të fillojnë në vitin 2023.

Reformat parashikojnë heqjen e ndalimit për shndërrimin e zonave të mbrojtura natyrore në tokë bujqësore dhe lejojnë tharjen e mëtejshme të tokave që janë të rëndësishme për ruajtjen e karbonit, për të cilin kritikët thonë se përbëjnë 25 për qind të emetimeve bujqësore në disa shtete anëtare, sipas Reuters.

Paketa nuk parashikon një buxhet të veçantë për mbrojtjen e natyrës, i cili u kërkua nga aktivistët. Deputetët gjithashtu votuan për të alokuar 60 për qind të buxhetit bujqësor për pagesa direkte për fermerët pa kërkesa të veçanta mjedisore.

"Një politikë e tillë e përbashkët bujqësore nuk do të kontribuojë aspak në uljen e emetimeve tona ... Në fakt, ajo do të rrezikojë arritjen e qëllimit evropian të emetimeve neto zero", tha për Reuters Thomas Waitz, një fermer austriak, i cili është anëtar i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian.

Por disa ekonomistë theksojnë se ndërsa Britania e Madhe largohet nga BE dhe duke pasur parasysh pandeminë e koronavirusit, politikat evropiane duhet të përqendrohen në një gamë të tërë qëllimesh, jo vetëm në ruajtjen e natyrës.

"Thelbi i agjendës së gjelbër nuk është vetëm ruajtja e natyrës dhe mjedisit, por mbrojtja e natyrës në një mënyrë që është në përputhje me qëllimet e tjera të BE-së: rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës," tha Laborde Debucquet pranë Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Politikave të Ushqimit.

Aktivistja suedeze Greta Thunberg vlerësoi se reforma inkurajon shkatërrimin e natyrës.

"Njëmbëdhjetë muaj pasi Parlamenti Evropian shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për klimën, i njëjti parlament votoi për të vazhduar një politikë bujqësore që, me pak fjalë, inkurajon shkatërrimin e natyrës me pothuajse 400 miliardë euro për shtatë vjet. A jemi të zhgënjyer? Jo, sepse kjo do të thoshte se po prisnim një mrekulli. Megjithatë, sot ka treguar edhe një herë se sa i madh është hendeku midis politikave aktuale dhe çfarë duhet të bëhet për ta sjellë atë në përputhje me Marrëveshjen e Klimës së Parisit," shkruan ajo në Facebook.

Paneli i OKB-së për klimën ka arritur në përfundimin se emetimet globale duhet të ulen me 45 për qind deri në vitin 2030 dhe në zero emetime neto nga mesi i shekullit për të pasur një mundësi prej 50 për qind të kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius për të shmangur pasojat më të këqija ndryshimi i klimës.

Globalisht, prodhimi i ushqimit është përgjegjës për të paktën një të katërtën e emisioneve të gazeve serë, vlerësojnë ekspertët, përfshirë shpyllëzimet, blegtorinë dhe përdorimin e plehrave dhe pesticideve.

Përdorimi në rritje i lëndëve djegëse artificiale me bazë azoti për prodhimin e ushqimit po rrit emetimet e oksidit të azotit, i cili është 300 herë më i fuqishëm se CO2 si nxitës i ndryshimit të klimës, paralajmëruan shkencëtarët ndërkombëtarë këtë muaj.

Komisioni Evropian propozoi në mes të shtatorit të ulte emetimet e CO2 me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990, për ta bërë Evropën klimatike-neutrale deri në vitin 2050. Synimi aktual është 40 për qind.

Parlamenti Evropian po propozon të ulë emetimet e CO2 me të paktën 60 për qind. Shtetet anëtare janë të ndara për këtë çështje sepse tranzicioni nuk do të jetë i lehtë ose i lirë, veçanërisht për ata që, si Polonia, varen nga lëndët djegëse fosile. Një marrëveshje duhet të arrihet deri në fund të vitit.

Një pjesë kryesore e agjendës së gjelbër të BE-së është strategjia "Fusha në tryezë", e cila kërkon të forcojë sistemin ushqimor dhe ta bëjë atë më të qëndrueshëm, dhe për të ndaluar humbjen e biodiversitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat