Belgjika, shteti i radhës që vendos shtetrrethimin për shkak të COVID-19

Evropë

Belgjika, shteti i radhës që vendos shtetrrethimin për shkak të COVID-19

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 20:53
Belgjikë

Belgjika u bë të premten vendi më i fundit evropian që vendos masa më të rrepta si mënyrë për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Shteti më i prekur në Evropë, për numrin e popullsisë, ka vendosur të kufizojë udhëtimet, daljet për "shopping", kontaktet familjare do jenë të kufizuara në minimum ku vizitat do të lejohen jo më shumë se një në javë.

Shkollat do të qëndrojnë mbyllur për dy muaj, ndërsa sipërmarrjet me aktivitete të cilësuara si jo-të-domosdoshme do të mbyllen dhe punonjësit, nëse do jetë e mundur, do ta zhvendosin punën në kushte shtëpie.

Kryeministri Alexander De Croo njoftoi masat e reja, të cilat do të nisin nga e hëna dhe do të qëndrojnë në fuqi “të paktën deri mesin e muajit dhjetor” për atë që ai e quajti si “masat për mundësinë e fundit” për ngadalësimin e përhapjes së pandemisë në Belgjikë.

Belgjika, me rreth 11.5 milionë banorë, ka regjistruar mbi 392 mijë të infektuar me COVID-19, prej të cilëve mbi 11,300 kanë humbur jetën.

Situata u bë alarmante ku nga një prirje me 2-3 mijë raste në ditë, në dy javët e fundit mesatarja e rasteve ditore shkoi në mbi 13 mijë me një total prej 186 mijë të infektuarish shtesë. Kjo prirje u konsiderua nga qeveria si "cunami me të infektuar".

Aktualisht Qendra Evropiane e Parandalimit të Sëmundjeve ka përllogaritur se Belgjika ka raportin më të rëndë të pandemisë me 1,600 të infektuar për çdo 100 mijë banorë.

Shqetësimi kryesor për autoritetet mbeten spitalet, ku në mesjavë u tejkalua numri rekord i 6 mijë të shtruarve me COVID-19 dhe ditët e fundit pacientët janë shtuar me nga 200-250 në ditë.

Në mesjavë vendimin për t’iu rikthyer izolimit kombëtar e ndërmori edhe Franca. Një masë të tillë po shqyrton edhe Gjermania, ndërkohë që Spanja ka zgjatur me gjashtë muaj gjendjen e jashtëzakonshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat