Papa Françesku, i përkushtuar për të luftuar korrupsionin brenda kishës katolike

Evropë

Papa Françesku, i përkushtuar për të luftuar korrupsionin brenda kishës katolike

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 15:41
Papa Françesku

Papa Françesku thotë se është i përkushtuar për të luftuar korrupsionin brenda kishës katolike, sado vështirë që të jetë.

"E di që duhet ta bëj, jam sjellë në këtë detyrë për ta realizuar këtë, por Zoti do të vendosë nëse bëra mirë apo jo. Sinqerisht, nuk jam shumë optimist,” tha ai gjatë një interviste të premten me agjencinë italiane të lajmeve AdnKronos.

Papa vazhdoi se nuk do të ndalet nga kritikat e çfarëdo forme, duke shtuar se i merr në shqyrtim “sepse ndihmojnë për vetë-ekzaminim”. Ati i Shenjtë tha më tutje se nuk do të lejojë të “dërrmohem nga çdo gjë jo e mirë që thuhet për papën”.

Në 2013, Papa Françesku u zgjodh nga kardinalët me mandatin për të pastruar financat e Vatikanit, pas një seri skandalesh për korrupsion.

Muajin e kaluar, Ati i Shenjtë shkarkoi një ish-zyrtar të lartë të Vatikanit, Kardinalin Angelo Becciu, nën akuzat se kishte përvetësuar para nga fondi për blerjen e një ndërtese luksoze për Vatikanin në Londër. Zoti Becciu i ka hedhur poshtë akuzat.

39-vjeçarja Cecilia Marogna, ndihmëse e ish-kardinalit u lirua të premten pas dy javësh arresti. Zonja Marogna pret vendimin e gjykatësit lidhur me ekstradimin në Vatikan.

Papa Françesku thotë se është i shqetësuar se rastet e “manipulimeve financiare e mashtrimeve” do të dëmtojnë besimtarët katolikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat