Pas pandemisë, rritje taksash

Evropë

Pas pandemisë, rritje taksash

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 22:25
Gjermani

Gjermania do të financojë me 10 miliardë euro kompanitë e prekur nga kriza që shkaktoi pandemia e koronavirusit. Por në vend ka lindur një debat për mënyrën e financimit të kësaj ndihme. Kandidati socialdemokrat për kancelar dhe ministri i tanishëm i Financave Olaf Scholz u shpreh pro rritjes së taksave për ata që fituan shumë pará gjatë pandemisë.

Në Gjermani po shqyrtohet mundësia e rritjes së taksave pas kalimit të pandemisë, kryesisht për të pasurit. Kandidati socialdemokrat për kancelar për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe njëkohësisht ministri i tanishëm i Financave Olaf Scholz deklaroi se është në favor të rritjes së taksave për ata që fituan shumë para gjatë krizës së pandemisë.

Por ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, e kundërshtoi këtë ide duke thënë se rritja e taksave është një helm për ekonominë dhe se ai personalisht do të angazhohet për të kjo të mos ndodhë, edhe pas zgjedhjeve të vitit 2021.

Gjatë prezantimit të masave për të mbështetur ekonominë në këtë fazë të re të bllokimit të pjesshëm nga dy ministrat, Altmaier dhe Scholz, u rishfaq edhe çështja e financimit të kompanive të prekura nga kriza.

Ministri i Financave ka përsëritur në çdo rast se taksat nuk do të rriten, për momentin, për të financuar ndihmën prej 10 miliardë eurosh.

“Gjermania nuk ka nevojë për para, le të themi të freskëta, sepse këto para do të merren nga fondi i ndihmës prej 25 miliardë tashmë të lënë mënjanë dhe nga të cilat vetëm 1.5 miliardë janë përdorur”, theksoi Scholz.

Gjermania ka rivendosur masa kufizuese të lëvizjeve për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve dhe plotësimit të shtretërve në spitale.

Vazhdimisht kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se vendin e pret një dimër i gjatë dhe i vështirë. Për këtë ajo është kundërshtuar ashpër në parlament.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat