Zgjedhjet në BeH: Dodiku përjeton humbje të rëndë në Banjallukë, SDA-ja e humb Sarajevën

Evropë

Zgjedhjet në BeH: Dodiku përjeton humbje të rëndë në Banjallukë, SDA-ja e humb Sarajevën

Nga: B.S. Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 08:30
Milorad Dodiku

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale në Bosnjë-Hercegovinë kanë sjellë ndryshime në skenën politike të vendit, më e rëndësishmja fakti që dy nga tri partitë kombëtare në pushtet kanë humbur kontrollin e qyteteve të mëdha si Sarajeva dhe Banjallukë.

"Ka pasur ndryshime në të gjithë BeH-në. Nuk janë këto ndryshime tektonike por të rëndësishme", tha Bakir Izetbegoviqi, kryetar i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) natën vonë të së dielës në Sarajevë.

Në një atmosferë të zymtë në selinë e partisë, Izetbegoviqi pranoi humbjen e partisë së tij në garën për kryetar bashkie në tri nga katër komunat që përbëjnë qytetin e Sarajevës, ndërsa koalicioni opozitar SDP BeH, Partia jonë (NS) dhe Populli e drejtësia(NiP) morën pushtetin edhe në disa komuna të tjera në Qarkun e Sarajevës që ishin të njohur për fortifikimet e tyre të pathyeshme të SDA-së.

Ky bllok opozitar, i cili u krijua për herë të parë në prag të zgjedhjeve lokale të këtij viti, fitoi poste për kryetar bashkie në 11 komuna dhe SDA-ja mbajti ose fitoi pushtetin në 30 komuna, por nuk ka asnjë qytet të madh midis tyre, sepse kryetari aktual Fuad Kasumoviq mori një mandat të ri në Zenicë si kandidat i pavarur, Jasmin Imamoviqi i SDP-së mbeti kryetar i Bashkisë së Tuzlës, ndërsa në Bihaq edhe një mandat e fitori i pavaruri Shuhret Fazliq.

Izetbegoviqi, megjithatë, këmbënguli që pavarësisht nga disfatat që ka pësuar, SDA-ja e tij mbetet "partia më e fortë në vend".

Duke konfirmuar i pakënaqur humbjen në Banjallukë, Milorad Dodiku tha se nuk ishte "një goditje e vogël" për të dhe qortoi banorët e Banjallukës se "nuk ishin fer" ndaj kandidatit të tij për kryetar bashkie Igor Radojiçiq, duke u ankuar se sa SNSD-ja dhe ai personalisht kanë investuar këtë në qytet.

"Dikush po luante me hile këtu", tha Dodik i mërzitur, i pamësuar me humbje. Ai paralajmëroi se SNSD-ja nuk do të ndjekë politikë konflikti me qeverinë e re të qytetit në Banjallukë, e cila do të drejtohet nga i riu Drashko Stanivukoviq nga Partia e Progresit Demokratik (PDP).

Stanivukoviq, i cili është gjithashtu një anëtar i Asamblesë Kombëtare të RS-së, shpesh përplaset verbalisht me Dodikun.

Dodiku konfirmoi se kandidati i SNSD-së për kryebashkiak të Bijelinës, qyteti i dytë më i madh në RS, gjithashtu humbi zgjedhjet, ku fitoi kandidati i Partisë Demokratike Serbe (SDS)

"Sigurisht që jemi të lënduar nga pozicioni (i humbur) i kryetarit të bashkisë," tha Dodik, duke akuzuar partnerët e koalicionit për tradhti. Ai tha se pavarësisht kësaj, SNSD-ja mbetet partia më e fortë në RS, sepse tani ajo ka pushtet në 41 komuna, që është një më shumë se më parë.

Në fund, Dodik e krahasoi veten me Winston Churchill, duke përkujtuar se edhe ai humbi zgjedhjet e vitit 1945 edhe pse ishte një nga udhëheqësit e koalicionit fitues në luftë.

Ndryshimet e mëdha munguan vetëm në zonat me shumicë kroate sepse HDZ-ja e BeH-së mbajti pushtetin në shumicën e komunave në të cilat është edhe tash.

Sipas informacioneve të disponueshëm natën pas zgjedhjeve, partia më e madhe kroate humbi pushtetin vetëm në Tomislavgrad dhe nuk arriti ta fitonte në Ramë, që është një qëllim i paarritshëm për Dragan Çoviqin për ciklin e katërt zgjedhor, sepse atje sundon Jozo Ivançeviq nga HDZ 1990.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të BeH (KQZ), 50 përqind e 3.2 milionë votuesve të regjistruar morën pjesë në zgjedhjet lokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat