Në Turqi rinis gjyqi në mungesë për vrasjen e Khashoggit

Evropë

Në Turqi rinis gjyqi në mungesë për vrasjen e Khashoggit

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 16:02
Jamal Khashoggi

Në Turqi ka rinisur gjykimi i burrave që akuzohen për vrasje të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në Stamboll më 2018.

Në këtë proces, 20 zyrtarë sauditë po gjykohen në mungesë.

Khashoggi, kritiku i njohur i princit saudit, Mohammed bin Salman, është vrarë nga një ekip i agjentëve sauditë brenda konsullatës së Mbretërisë Saudite në Turqi.

Turqia ka thënë se ai është vrarë dhe më vonë është copëtuar.

Në mesin e të pandehurve janë dy ish-ndihmës të princit, të cilët e mohojnë përfshirjen në këtë rast.

Një mik i ngushtë i Khashoggit, disidenti politik nga Egjipti, Ayman Noor, u ka thënë gazetarëve se ai është ndjerë i kërcënuar nga njerëzit e afërt me princin saudit të kurorës.

Ai ka deklaruar se Khashoggi i ka thënë se është kërcënuar personalisht nga cari i mediave saudite, Saud al-Qahtani.

"Noor ka thënë se Khashoggi ka raportuar se është kërcënuar nga Saud al-Qahtani nga viti 2016”, ka thënë Rebecca Vincent nga Reporterët pa Kufij, teksa ka raportuar nga dhoma e gjyqit.

“Khashoggi ka folur për një bisedë telefonike me Qahtanin kur ai ka qenë duke jetuar në Uashington, duke thënë se ai e di se ku janë duke jetuar ai dhe fëmijët e tij. Nour ka thënë se Khashoggi ka qarë, gjë e cila ka qenë e pazakonshme, dhe se ka qenë i frikësuar”.

Arabia Saudite, e cila ka refuzuar kërkesat e Turqisë për ekstradim, ka dënuar tetë persona lidhur me këtë vrasje, një vit më parë.

Pesë persona janë dënuar me vdekje për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vrasje, derisa të tjerët janë dënuar me burgim.

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnès Callamard, ka thënë se gjykimi saudit ka qenë “antitezë e drejtësisë”, dhe se sipas saj, Khashoggi ka qenë “viktimë e një ekzekutimi të paramenduar”, për të cilin është përgjegjës shteti saudit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat