Oslo synon të reduktojë me 95 % emetimet e gazit deri në 2030

Evropë

Oslo synon të reduktojë me 95 % emetimet e gazit deri në 2030

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 19:23
Oslo

Bashkia e Oslos synon të reduktojë me 95% emetimet e CO2 deri në vitin 2030, njoftoi sot ekipi bashkiak, që shikon këtë si strategjinë klimatike më ambicioze të të gjitha qyteteve më të mëdha në botë.

Maxhoranca nuk ka dhënë detaje për koston e këtyre reduktimeve drastike, llogaritur në raport me vitin 2009, që ajo zbuloi një muaj para zgjedhjeve bashkiake.

Mes masave të parashikuara, Bashkia kërkon që të gjitha automjetet individuale që qarkullojnë në rrugë në 2030 të jenë “të pastra”, pa përmendur një ndalim të plotë të automjeteve me energji fosile.

Prodhuesja më e madhe e hidrokarbureve në Europën Perëndimore, Norvegjia është, në pjesën e tregut, kampione e botës për veturat elektrike.

Vendi skandinav ka si ambicie zyrtare që, prej vitit 2025, të gjitha automjetet e saj të reja të jenë të modelit zero emetim.

Bashkia synon gjithashtu të reduktojë një të tretën e trafikut të veturave në 2030 në raport me 2015 dhe të përqendrohet tek transporti i përbashkët, pistat e çiklizmit dhe këmbësorët.

“Kjo është strategjia klimatike më ambicioze e të gjitha qyteve të mëdha në botë”, deklaroi kryetari laburist i Bashkisë, Raymond Johansen, cituar nga media norvegjeze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat