Arrestohet “Manjaku i Vollgës”, akuzohet për vrasjen e dhjetëra grave të moshuara

Evropë

Arrestohet “Manjaku i Vollgës”, akuzohet për vrasjen e dhjetëra grave të moshuara

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 19:15
Radik Tagirov

Autoritetet ruse kanë arrestuar një burrë që dyshohet se ka vrarë dhjetëra gra të moshuara në Republikën e Tatarstanit dhe rajonet përreth, përgjatë një dekade.

Jo zyrtarisht, Radik Tagirov është pagëzuar si “Manjaku i Vollgës”, shkruan gazeta ruse “Moscow Times”.

38-vjeçari akuzohet për vrasjen e 19-32 pensionisteve, të cilat janë mbytur në periudhën mars 2011, shtator 2012. Hetuesit thanë se dyshojnë që ai mund të jetë shtirur si punonjës social për t’u futur në apartamentet e tyre. Pjesa më e madhe e viktimave ishin të grupmoshës 75-90 vjeç.

Hetuesit në Kazan thanë se pas marrjes në pyetje, Tagirov pranoi se ishte autor i vrasjeve. Ai ishte dënuar më parë për vjedhje në vitin 2009. Sipas mediave ruse, ishin provat e ADN-së që çuan autoritetet te Tagirov. Nëse dënohet, ai do të bëhej një prej vrasësve serialë më të tmerrshëm të Rusisë.

Megjithatë, rekordin e zi e mban ish-polici Mikhail Popkov, i dënuar për vrasjen e 78 personave në periudhën 1992-2007.

Ndërsa Alexander Pichushkin – i quajtur Vrasësi i fushës së shahut – u dënua me burgim të përjetshëm në Moskë në vitin 2007 për vrasjen e 48 personave, në periudhën 2002-2006. Asokohe u tha se ai po përpiqej të vriste 64 vetë, aq sa katrorët në fushën e shahut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat