Gjermani: Rezerva mjekësore për pandemitë e ardhshme

Evropë

Gjermani: Rezerva mjekësore për pandemitë e ardhshme

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 11:30
Ilustrim

Qeveria në Gjermani do të jetë e përgatitur për pandemitë e ardhshme dhe synon krijimin e 19 depove me material mjekësor. Ekspertët dhe politikanët kërkojnë, që t’i kushtohet vëmendje cilësisë.

Në rast pandemie të mos kemi më mungesa sikurse ndodhi me fillimin e kësaj pandemie! Këtë synim ka shpallur ministri gjerman i Shëndetësië, kristiandemokrati Jens Spahn. Kur nisi pandemia në pranverë, doli në pah, që në Gjermani u konstatuan  mungesa për mbrojtjen ndaj infeksioneve dhe trajtimin mjekësor, sepse parpitur nuk kishte maska mjaftueshëm, veshje mbrojtëse dhe aparatura respirimi. Këto mungonin si në klinikat, spitalet e në shtëpitë e kujdesit. Disa javë madje mungonin edhe maskat e thjeshta mbrojtëse, të cilat me vështirësi gjendeshin online duke u ofruar me çmime të majme. Pastaj qeveria vendosi blerjen e maskave. Shumë shpejt mungesat u kompensuan. Megjithatë qeveria tani synon që për të ardhmen të jetë e përgatitur më mirë me rezerva të këtij lloji.

Ndaj kabineti qeveritar vendosi këtë javë, që deri në fund të vitit të ardhshëm të krijohet një rezervë shtetërore. Fillimisht do të depozitohen maska. Më pas do të depozitohen rezerva me produkte mjekësore në vend. Rezervat duhet të mbulojnë nevojën për një muaj. „Në këtë mënyrë ne në rast emergjence mbështesim kryesisht ata që punojnë nëpër spitale, shtëpitë e kujdesit dhe në klinikat private. Një kujdes i mirë shëndetësor nuk duhet të dështojë për mungesë materialesh", tha ministri Spahn.

Diskutime të tilla që prej 19 vjetësh

Është vendosur kësisoj qysh në qershor krijimi i një strukture të „Rezervës Kombëtare për Mbrojtjen e Shendetit". Por deri tani nuk është bërë shumë në këtë drejtim, sikurse konstatohet në një kërkesë për shpjegim të paraqitur nga grupi parlamentar i partisë Liberal-Demokrate (FDP) në opozitë: "Diskutimet për mënyrën dhe volumin e materialeve për rezervën e ardhshme po vazhdojnë, ndërkohë që është ende e hapur çështja për kostot e menaxhimit dhe sigurimit të këtyre materialeve", theksohet në përgjigjen e qeverisë ndaj kërkesës së FDP-së.

Image
Jens Spahn

Ekspertja për mbrojtjen nga infeksionet e partisë ekologjiste, Kordula Schulz-Asche, e përshëndet nismën e qeverisë, por sjell në vëmendje, që prej shumë vitesh ka pasur debate për krijimin e një rezerve të tillë emergjence, madje qysh në fillim të shekullit me shpërthimin e pandemisë Sars. "19 vjet kanë kaluar qysh atëherë, ndaj tani koha nuk pret më, këto plane duhet të vihen në jetë", tha për DW Schulz-Asche. Ajo nënvizon më tej, se tani „që depot janë të mbushura ministri Shëndetësisë Spahn e ka të lehtë të vendosë krijimin e një rezerve strategjike"". Por sipas Schulz-Asche rëndësi ka, që t'i kushtohet vëmendje cilësisë: „Duhet të përcaktohen parametra, se për çfarë lloj rreziku apo krize financiare do të jenë të përshtatshëm këto materiale. Tani për tani ne ndodhemi në valën e pandemisë Corona. Por a të mbrojnë maskat edhe prej pandemive të tjera si p.sh. Ebola? Ose a është krijimi i kësaj rezerve i përshtatshëm të përdoret vetëm gjatë gripit, apo pra gjatë pandemsië Corona?". Sipas Schulz-Asche nga planet e ministrit Spahn ende nuk po shihet ndonjë transparencë.

"Jo të gjitha maskat janë të përshtatshme për depozitim"

Image

Cilësia e materialit, që do të depozitohet, është e rëndësishme, sikurse theksojnë edhe ekspertët e organizatës së mjekëve "Marburger Bund". Zëdhënësi Hans-Jörg Freese i tha DW-së, se jo të gjitha maskat janë të përshtatshme të ruhen afatgjatë. „Ne e dimë prej kohësh, që në sasi të tilla të mëdha jo të gjitha maskat janë efektive ndaj infeksioneve prej viruseve." Ka edhe maska speciale për punëtorët e zejtarisë p.sh, që mbrojnë nga grimcat e imëta në atmosferë, por që në fakt nuk kanë efekt mbrojtës nga virusi. Megjithatë krijimi i një rezerve është i nevojshëm: „Më mirë vonë se kurrë, ky plan duhej realizuar prej kohësh. Ne në pranverë pamë, se çfarë ndodh nëse nuk je i përgatitur mirë."

19 qendra në mbarë vendin

Planet ndërkohë janë konkretizuar: Në 19 qendra të shpërndara në mbarë vendin do të depozitohet material mjekësor ndër të tjera edhe në Hamburg, Dortmund Halle e  Augsburg. Rezervat  federale do të krijohen pasi të jenë konsumuar materialet ekzistuese nëpër spitale, klinika private apo në shtëpitë e kujdesit. Në planin e qeverisë parashikohet, që „Rezervat duhet të mbahen edhe më tej edhe në institucionet mjekësore dhe në lande. Përdorimi i rezervave të federatës është një zgjidhje në rast mbingarkese." Në përgjithësi politika dhe ekspertët e përshëndesin parimisht krijimin e kësaj strukture në formë të decentralizuar.

Rezerva shtetërore ka pasur edhe më parë

Veçanërisht në pjesën perëndimore të Berlinit ka pasur rezerva të ngjashme në kohët që tashmë janë kapërcyer: Pas bllokadës së Berlinit në vitet 1948 dhe 1949 tri komandat e qytetit të Berlinit Perëndimor autorizuan senatin e qytetit të depozitonte ushqimet bazë, medikamente, qymyr, karburant dhe sende të tjera të nevojshme në rast emergjence. Një gjysmë viti këto mallra duhej të ruheshin për të garantuar një jetë pa shqetësime deri në gjashtë muaj, në rast se qyteti sërish mund të rrethohej. Miliona tonë mallra ishin depozituar në mbi 700 depo të shpërndara nëpër qytet, vendndodhjen e të cilave e dinin vetëm shumë pak persona. Këto depozita kushtonin rreth 1.8 miliardë Euro. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të RDGJ-së rezervat u shpërbënë – disa dekada pas krijimit. Rezerva e planifikuar tani për produkte mjekësore duhet të jetë pjesë e rezervës europiane, për të cilën ranë dakord në maj të këtij vitit Berlini dhe Parisi. Një miliardë euro do t'i kushtojë Gjermanisë kjo rezervë shtetërore, e cila do të garantojë një përgatitje më të mirë për t'i bërë ballë ndonjë pandemie të mundshme./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat