Pse po funksionojnë bllokimet e dyta më pak të ashpra në Evropë

Evropë

Pse po funksionojnë bllokimet e dyta më pak të ashpra në Evropë

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 17:50
Foto ilustrim

Më pak se një vit pasi pandemia e Covid-19 u përhap në të gjithë botën, shkencëtarët kanë prodhuar disa vaksina, të cilat mund të ofrojnë një imunitet në nivele të larta kundër koronavirusit të ri. Por vaksinimi në masë, është ende disa muaj larg.

Deri atëherë njerëzit, do të duhet që ta frenojnë përhapjen e virusin, përmes mbajtjes së maskave, duke udhëtuar më pak, dhe duke kufizuar kontaktet me familjet e tjera. Politikanët që menduan se qytetarët e tyre, do të ndalonin me dëshirë shoqërimin me të tjerët, janë zhgënjyer.

Vdekjet e përditshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Covid-19, janë afër niveleve rekord. Rastet e reja në Evropë, u rritën shumë në muajin tetor, gjë që detyroi 11 qeveri të rivendosin urdhrat kombëtarë të qëndrimit në shtëpi.

Ato shpresojnë se këto bllokime do t’i reduktojnë infeksionet e reja në nivele të menaxhueshme, në prag të festës së Krishtlindjes. Por pas një pranvere të zymtë, ata duhet të shqetësohen se njerëzit këtë herë do të jenë më pak të bindur ndaj masave kufizuese.

Të dhënat e smartfonëve nga Google, konfirmojnë se kufizimet e fundit në Evropë, kanë pasur më pak ndikim në jetën e përditshme. Në mars, numri mesatar i udhëtimeve – në vende të tilla si supermarketet, restorantet, linjat e transportit publik dhe zyra – ra në 35 për qind të nivelit, krahasuar me janarin.

Pas rikthimit në nivelin 83 për qind në kohën e bllokimeve të fundit, lëvizshmëria tani ka rënë vetëm në 68 për qind. Ky efekt më i vogël, mund të shkaktohet nga rregulla më fleksibile, dhe ekzistenca e entuziazmi më të vogël për t’iu bindur atyre.

E megjithatë, këto bllokime më pak të rrepta janë ende duke funksionuar. Sipas vlerësimeve të  Shkollës së Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, numri mesatar i të sëmurëve të rinj që u preken nga virusi nga çdo lloj personi i infektuar, është duke rënë.

Në vendet evropiane që vendosën bllokimet e dyta, norma R e infektimit ra nga një mesatare prej 1.1 në javën para kufizimeve të reja, në 0.9 në javën që pasoi. Dhe ky ndryshim i vogël, bën në fakt një diferencë të madhe. Gjatë 4 javëve, kjo do të nënkuptojë se infeksionet e reja do të bien me 21 për qind, në vend se të rriteshin me 36 për qind.

Për 334 autoritete lokale në Angli dhe Uells (ngjashëm me qarqet e Amerikës), ne kemi llogaritur se cilat aspekte të bllokimeve kanë më shumë rëndësi. Ne kombinuam vlerësimet e normë R të shkallës së infektimeve nga Kolegji Mberërsor i Londrës, me të dhënat e udhëtimit nga “Teralytics”, një kompani teknologjike zvicerane, dhe të dhënat e smartfonëve nga Google.

Pastaj kemi përdorur analizën e ndërmjetësimit, një teknikë statistikore, për të analizuar efektet e llojeve të ndryshme të lëvizshmërisë. Dhe zbuluam 2 mënyra, se si bllokimet po e bllokojnë përhapjen e koronavirusit.

Së pari, zvogëlimi i udhëtimeve në punë, ndihmon jo pak në këtë aspekt, siç bëjnë edhe më pak frekuentime në restorante, bare dhe dyqane. Megjithëse efekti i aktiviteteve të kohës së lirë mund të ndryshojë shumë. (Shëtitja në parqe apo frekuentimi i transportit publik, nuk kishte asnjë ndikim, ndoshta pasi vizitorët janë jashtë ose mbajnë maska).

Së dyti, bllokimet i pengojnë njerëzit të udhëtojnë në zona të tjera. Ky është ndoshta faktori më i rëndësishëm në uljen në përgjithësi të shkallës së infektimeve. Që të gjitha këto janë lajme të mira. Bllokimet më të lehta, kushtojnë më pak se sa mbylljet totale.

Dhe kur qeveritë rihapin bizneset, ato mund ta zbutin përzierjen shtesë midis klientëve, duke i nxitur të qëndrojnë në zonat përreth banesës së tyre. Kjo është mënyra më e mirë, për ta vënë nën kontroll virusin përpara Krishtlindjeve. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat