Pandemia Covid-19 mbush varrezat në Selanik të Greqisë

Evropë

Pandemia Covid-19 mbush varrezat në Selanik të Greqisë

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 14:35
Selanik

Në varrezat e Selanikut janë hapur varre të reja për viktimat e mundshme të COVID-19. Aktualisht, në qytet mbahen funerale të shumta në ditë, teksa veriu i Greqisë vazhdon të jetë i pushtuar nga pandemia.

Qyteti i dytë më i madh i Greqisë ka raportuar vazhdimisht më shumë raste se kryeqyteti gjatë valës së dytë, edhe pas një muaji të kaluar në bllokadë. Të enjten atje u raportuan 428 raste, ndërsa në Athinë 334.

Stavros Chatzivaritis (Haxivaritis), pronar i një agjencie funerale, tha për Reuters ditën e premte se varreza qendrore e qytetit po prenotohet dy ditë përpara dhe çdo ditë atje zhvillohen 5 deri në 8 varrime.

“Kam parë 5 deri në 8 funerale të mbajtura thuajse çdo ditë. Vendet janë të gjitha të prenotuara të paktën dy ditë para. Ndaj, nëse dikush vdes sot, e premte, nuk do të mund të varroset deri të dielën, ose të hënën”, tha ai.

Gjatë një ceremonie mortore të mbajtur të enjten, mbajtësit e arkivolit ishin të veshur me tuta plastike, ndërsa një prift i maskuar mbante eulogjinë dhe fare pak familjarë ishin të pranishëm për të ndjerin.

Ndërkohë, në një varrim tjetër dëgjohej edhe zhurma e një traktori që hapte gropa të reja.

Greqia ka zgjatur deri më 14 dhjetor bllokadën kombëtare të vendosur muajin e kaluar për të frenuar përhapjen e coronavirusit, bënë të ditur burime qeveritare. Shteti helen ka regjistruar në total 111 mijë e 537 raste me COVID-19 dhe 2 mijë e 706 vdekje, me veriun e vendit që është më i prekuri dhe me spitalet që po veprojnë me kapacitete të plota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat