Votuan pro rusëve në OKB, BE-ja i kërkon Serbisë të mos e prishë perspektivën evropiane

Evropë

Votuan pro rusëve në OKB, BE-ja i kërkon Serbisë të mos e prishë perspektivën evropiane

Nga: B.S. Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 09:17
Flamuri i BE-së e Serbisë

Bashkimi Evropian pret që Serbia, si vend që ka zgjedhur anëtarësimin në BE, të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e jashtme të BE-së, në mënyrë që të mos e shkelë perspektivën e saj evropiane, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano për agjencinë serbe Beta.

Lidhur me vendimin e Serbisë për të votuar kundër rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të KB-së mbi Krimenë, Stano ka thënë se "pozicioni i BE-së mbi aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe Sevastopolit është i qartë dhe i njohur për partnerët e saj, përfshirë Serbinë."

"Qeveria serbe ka përcaktuar integrimin në BE si përparësi strategjike për vendin. Për të ecur përpara në rrugën e integrimit në BE, Serbia duhet gradualisht të harmonizohet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, në përputhje me Kornizën negociuese të nnëtarësimit në BE. Presim që Serbia të veprojë në përputhje me këtë vendosmëri në mënyrë që perspektiva e saj evropiane të mos shkelet," ka deklaruar Stano.

Stano ka përkujtuar se aneksimi i Krimesë për BE-në është "shkelje e dukshme e ligjit ndërkombëtar dhe Krimea është pjesë e territorit të Ukrainës".

"Kjo ka të bëjë me vlerat dhe parimet mbi të cilat bazohet BE, gjë që është e qartë për çdo vend anëtar të BE-së, dhe duhet gjithashtu të jetë e qartë për çdo vend që aspiron për anëtarësim në BE," shtoi ai.

Më 7 dhjetor, Serbia ka votuar kundër rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (KB), e cila i bën thirrje Rusisë t'i japë fund sa më shpejt të jetë e mundur "okupimit të përkohshëm" të Krimesë, gadishullit Ukrainas që ajo ka aneksuar në vitin 2014.

63 vende votuan për miratimin e rezolutës në lidhje me militarizimin e Krimesë, Sevastopolit dhe pjesëve të Detit të Zi dhe Azov, 17 ishin kundër, ndërsa 62 vende abstenuan.

Sipas të dhënave nga faqja e internetit e KB-së, përkujton gazeta, rezoluta u mbështet, ndër të tjera, nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca.

Përveç Serbisë, Rusia, Kina, Kuba, Koreja e Veriut, Bjellorusia, Armenia, Kirgistani, Irani, Siria gjithashtu votuan kundër

Të gjithë vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësimin në BE votuan në favor të rezolutës së KB-së mbi Krime, përveç BeH-së, e cila abstenoi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat