Gjermania bën përpjekjet e fundit për zhbllokimin e procesit të zgjerimit

Evropë

Gjermania bën përpjekjet e fundit për zhbllokimin e procesit të zgjerimit

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 13:08
Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Ndonëse formalisht nuk është në agjendën e samitit të Bashkimit Evropian, procesi i zgjerimit pritet që të diskutohet në margjinat e samitit që mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Kështu kanë thënë burimet diplomatike në Bruksel, të cilat presin që kancelarja gjermane, Angela Merkel – shteti i së cilës më 31 dhjetor përfundon kryesimin e presidencës së BE-së – të angazhohet personalisht në takime bilaterale me disa kolegë nga shtetet e tjera, me qëllim që të zhbllokohen vendimet e lidhura me procesin e zgjerimit.

Bllokada kryesore është ajo që Bullgaria i ka bërë kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Tri opsionet e Gjermanisë

Burimet diplomatike thonë se presidenca gjermane ende po i mban të hapura tri opsione.

Opsioni i parë është miratimi i konkluzave për procesin e zgjerimit dhe atë të stabilizim-asocimit si dhe miratimi i dy kornizave negociuese: për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Opsioni i dytë, sipas burimeve, është miratimi vetëm i konkluzave të Këshillit të BE-së.

Ndërkaq, opsioni i tretë, për të cilin besohet se ka më pak gjasa të ndodhë, është miratimi i konkluzave të zgjerimit për të gjitha shtetet, ndërkaq korniza negociuese t’i jepet vetëm Shqipërisë. Shumë shtete e kundërshtojnë këtë ide, që vetëm Shqipëria të përparojë në anëtarësimin në BE, pasi ky shtet duhet të plotësojë disa kushte shtesë para nisjes së negociatave të anëtarësimit.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se përshkallëzimi i retorikës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ditëve të fundit, i ka dëmtuar edhe më shumë gjasat që të arrihet sukses.

Bllokada bullgare për Maqedoninë e Veriut

Më 9 dhjetor, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria shkëmbyen akuza, pasi kjo e fundit bllokoi sërish kornizën negociuese për Shkupin zyrtar.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev e kritikoi Sofjen për politikë irracionale dhe fyese ndaj maqedonasve, pasi Bullgaria po konteston identitetin dhe gjuhën maqedonase, duke thënë se ato kanë rrënjë bullgare.

“Pozicioni i Bullgarisë është plotësisht irracional dhe fyes për maqedonasit dhe gjithë kombin tonë. Në shekullin 21, nuk është as evropiane dhe as demokratike t'i thuash tjetrit se si të ndihesh, si të përcaktohet vetvetiu. Nuk është evropiane të shkruash historinë e një kombi tjetër. Nuk është evropiane që t’i vendosni një identitet një populli tjetër dhe të bindni ata se duhet ta pranojnë atë”, është shprehur Zaev.

Por, Ministria e Jashtme bullgare i ka thënë Maqedonisë së Veriut se me "histori totalitare të trashëguar është e vështirë të gjesh mbështetje nga Bullgaria”.

“Është koha që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të braktisë tezën manipuluese se Bullgaria konteston të drejtën e vetëvendosjes dhe identitetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ose të drejtën për të emërtuar gjuhën e tyre", ka thënë MPJ e Bullgarisë.

Në mesin e nëntorit, Bullgaria njoftoi se vendos veto për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shkupit në bllokun evropian.

Që korniza negociuese të kalojë për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE, duhet votë unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së.

Konkluzat e Këshillit të BE-së

Gjatë samitit në Bruksel pritet të diskutohet dhe konkluzat për procesin e zgjerimit dhe atë të stabilizim-asocimit të Këshillit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes së cilat u kërkohet shteteve të bëjnë reforma dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në draftin e konkluzave, të cilin e ka parë REL, Kosovës i kërkohet të shtojë përpjekjet për përmirësimin e sundimit të ligjit, të shtojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe të bëjë reforma në administratën publike.

Kosovës po ashtu i kërkohet që vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe ligjet vendore.

Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë i kërkohet që të vazhdojnë angazhimin e tyre në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në këtë proces.

Ndërkaq, në konkuzat e Këshillit nuk ka asnjë të re sa i përket liberalizimit të vizave.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqiprisë, ndonëse në këtë dokument përmendet edhe pritja që “sa më parë” të nisin negociatat e anëtarësimit mes BE-së dhe këtyre dy shteteve, aty nuk përmendet ndonjë datë se kur mund të ndodhë kjo./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat