E tmerrshme: Imigrantët e akuzojnë Greqinë se po i kthen në det pasi po arrijnë në ishuj

Evropë

E tmerrshme: Imigrantët e akuzojnë Greqinë se po i kthen në det pasi po arrijnë në ishuj

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 11:06
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në orët e hershme të së dielës në fund të nëntorit, djali 16 vjeç, Jeancy Kimbenga u përpoq për herë të tretë që ta arrinte Evropën. Ai ndodhej në njërën nga tri barkat që atë ditë nga Turqia mbërrinë në ishullin grek, Lesbos. Me këtë rast, njësoj si në dy përpjekjet e tij të kaluara, ai thotë se edhe herën e tretë u kthye me forcë në ujërat turke.

Kthimi mbrapsht i imigrantëve, pa i vlerësuar rrethanat dhe pa ndonjë mundësi për të aplikuar për azil, cilësohet ilegale sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, shkruan BBC.

Greqia ka mohuar se përdor metoda të tilla, duke këmbëngulur se i zbaton ligjet evropiane dhe ndërkombëtare dhe se është duke i mbrojtur kufijtë e Bashkimit Evropian.

Gjatë përpjekjes së tretë për të hyrë në territorin e BE-së, Jeancy, i cili është me prejardhje nga Republika Demokratike e Kongos, e dokumentoi me fotografi një pjesë të rrugëtimit, me shpresë që dëshmitë se ka qenë në tokën greke do ta parandalonin kthimin e tij në Turqi.

Veturat e rojës kufitare greke u fotografuan para se imigrantët të dëboheshin

Ishte ende errësirë dhe tri barkat zbarkuan në bregdetin juglindor të Lesbosit, më 29 nëntor. Të ardhurit ishin mbledhur në një mal dhe e pritën agimin për t’ia dërguar fotografitë dhe lokacionin me GPS një organizate norvegjeze që merret me monitorimin e imigrantëve në këtë zonë.

Disa orë më vonë, një banor lokal, Kostas Theodorou, ishte duke u shëtitur me biçikleta me bashkëshorten në atë zonë, kur u taku me dy gra. Ato thanë se janë shtatzën dhe nuk kanë ngrënë ushqim që tri ditë.

Grupi i imigrantëve më pas u largua nga mali dhe u nis drejt veriut, duke bërë fotografi të vendeve nga kanë kaluar.

Jeancy më pas tregon se autoritetet greke ua morën të gjithë telefonat, i rrahën rëndë dhe i detyruan të hipnin në një barkë të madhe të rojës kufitare, me të cilën i kthyen në det. Më pas, ata u detyruan të hipnin në anije të vogla me ajër, thotë ai, dhe u detyruan të lundrojnë drejt ujërave territoriale turke.

Roja kufitare turke shpëtoi disa imigrantë nga dy anije me ajër më 30 nëntor.

Disa orë më vonë, pas orës 2 pas mesnate, roja kufitare turke i mori 13 imigrantë nga një barkë me ajër. Dhjetëra incidente të ngjashme janë raportuar muajve të fundit nga organizata norvegjeze “Aegean Boat Report” që nga fillimi i vitit kur autoritetet greke kryen rreth 300 operacione për kthimin e imigrantëve në det.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat