Sekretari britanik: Identifikohet një variant i ri i koronavirusit

Evropë

Sekretari britanik: Identifikohet një variant i ri i koronavirusit

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 22:47
Matt Hancock

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se është gjetur një variant i ri i koronavirusit, që po rritet më shpejt në disa pjesë të Anglisë.

Ai tha se së paku 60 autoritete të ndryshme lokale kanë regjistruar infeksione me koronavirus, të shkaktuar nga varianti i ri, raporton BBC.

Hancock tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë është njoftuar dhe se shkencëtarët britanikë janë duke kryer studime më të detajuara.

Ai po ashtu tha se nuk ka “asgjë për të sugjeruar” se varianti i ri shkakton sëmundje më të keqe ose se vaksinat nuk do të funksionojnë më.

“Ne kemi identifikuar aktualisht mbi 1,000 raste me këtë variant, kryesisht në jug të Anglisë”, tha Hancock para Parlamentit britanik.

“Të mos jemi histerikë. Nuk do të thotë se është më transmetues, ose më infektues, ose më i rrezikshëm”, tha për BBC-në profesori Alan McNally, ekspert në Universitetin e Birminghemit.

Agjencitë e tjera të lajmeve, si Reuters dhe AP, raportojnë se Anglia përballet me masa më të rrepta kufizuese, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, që pjesërisht mund të lidhen me variantin e ri të tij.

Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në Evropë.

Mbi 64,000 njerëz kanë vdekur atje, ndërsa mbi 1.8 milion janë infektuar në total.

Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar ka nisur imunizimin e popullatës me vaksinën Pfizer/BioNTech.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat