Vizita e Abazoviqit në Tuz simbolikë e respektit ndaj kombit të vet

Evropë

Vizita e Abazoviqit në Tuz simbolikë e respektit ndaj kombit të vet

Nga: Gjeke Gjonaj Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 11:13
Pamje nga takimi

Malësia dhe krahinat tjera etnike ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi meritojnë të vizitohen nga njerëz të profesioneve dhe profileve të ndryshme vendas dhe të huaj, sepse ato bartin më vete histori dhe vlera të padiskutueshme kombëtare. Në këtë kontekst vizita e zëvëndëskryeministrit shqiptar në Qeverinë e re malazeze, Dritan Abazoviqit në Komunën e Tuzit është një simbolikë e respektit ndaj kombit të vet. Aq më tepër për faktin se kjo është vizita e tij e parë zyrtare pas emërimit të pak ditëve më parë në këtë post të lartë politik e shtetërore. Erdhi, apo më mirë të them zgjodhi Malësinë, për ta bërë të ditur gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të kësaj trevë , sikurse edhe të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Respekt për Abazoviqin për vizitë të tillë, nëse këtë vizitë e ka bërë për hir të respektit të njëri-tjetrit dhe vullnetit të tij për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, për çka nuk kam asnjë dyshim.

Njoftimi në media për vizitën e tij në komunën më të re në Mal të Zi ishte një lajm i mirë për qytetarët e saj, duke pasur parasysh kohën dhe situatën aktuale politike dhe ekonomike në këtë vend. Sepse ndaj këtij politikani të moderuar kozmopolit me vlera të demokracisë properëndimore e proamerikane i mveshën gjithfarë akuzash e etiketesh , të cilat në të shumtën e rasteve i tejkalonin shijet e kulturës dhe ndërgjegjes njerëzore.

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq shpjegoi synimin e këtij misioni me vlerë për shqiptarët :” Si ulqinak dhe mik i Malësisë jam i nderuar që, së bashku me Ministrin e Financave dhe Mirëqenies Sociale, Milojko Spajiq dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Jakov Milatoviq, në Tuz fillova vizitën time të parë zyrtare në këtë komunë. Në këtë takim , ku u pritëm nga kryetari i komunës, Nikë Gjeloshaj me bashkëpunëtorë, jemi dakorduar për projekte të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve të komunës më të re malazeze”.

Dua të besoj se kjo deklaratë e tij të mos jetë thjeshtë populiste dhe propaganduese, siç janë mësuar shqiptarët nga pushtetarët e mëprashëm të mbeten vetëm një premtim në letër apo në kujtesën e trye, por të jetë e realizueshme, në frymën e traditës shqiptare - fjala e dhënë duhet mbajtur.

Me ardhjen e tij në Tuz Dritan Abazoviqi i inkurajoi qytetarët e Malësisë dhe u shtriu dorën e bashkëpunimit. Kjo gjithësesi është një vlerë me peshë të madhe në vendosjen e urave të reja të bashkëpunimit korrekt bazuar në parime të shëndosha e partneritet më të sinqertë se deri më tani mes institucioneve që drejtohen nga shqiptarët dhe insitucioneve më të larta shtetërore. Nëse ndodh kjo do të shtohej ndjeshëm besimi paksa i rezervuar dhe munguar në nivel institucional midis shqiptarëve dhe popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet multinacional dhe multifetar.

Një shoqëri shumëkombëshe , siç është edhe Mali i Zi, në qoftë se do të ketë vazhdimësi, do të duhej para së gjithash të kemi respekt për atë që është ndryshe nga ne dhe vlerësim të arritjeve të tjetrit. Pas tridhjetë vitesh të jetës shumëpartiake dhe të ndërrimit të parë të qetë të pushtetit është koha për vendosjen e urave të reja të bashkëpunimit dhe për më tepër respekt ndaj njëri-tjetrit, nga i cili do të arrihet një miqësi. Kjo do të ishte e shëndetshme për demokracinë e ardhshme për shoqërinë malazeze.

Qytetarët e këtij vendi presin nga zëvendëskryeministri Abazoviq dhe drejtuesit e tjerë të shtetit të marrin shembullin nga ajo që kanë thënë Bill Clinton, Joe Biden e të tjerë se ata duhet të drejtojnë vendin jo vetëm me shembullin e fuqisë së pozitës shtetërore, por më së shumti me fuqinë e shëmbullit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat