Britania nën bllokadë pas shfaqjes së variantit të ri të koronavirusit

Evropë

Britania nën bllokadë pas shfaqjes së variantit të ri të koronavirusit

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 06:36
Ilustrim

Më shumë se 40 vende kanë vendosur ndalim udhëtimesh për në Britani, pasi Londra njoftoi javën e kaluar se kishte zbuluar një variant të ri, më ngjitës të koronavirusit.

Kufizimet e reja kanë sjellë ndërprerje të gjera aktiviteti, ndërkohë që autoritetet përpiqen të vënë nën kontroll përhapjen e mëtejshme të virusit.

Britania sot: e shkëputur nga pjesa më e madhe e Evropës, e ndeshur me kaos në portet kryesore, e vënë praktikisht në karantinë nga fqinjët. Dhjetëra vende të tjera deklaruan ndalim udhëtimesh për në Britani, përfshirë Indinë, Kanadanë dhe Rusinë.

Kryeministri britanik tha të hënën se qeveria e tij po përpiqet t’i bindë aleatët evropianë të heqin bllokadën.

“Ne në Britani e kuptojmë plotësisht ankthin e miqve tanë për COVID-in, për variantin e ri të virusit. Por gjithashtu besojmë se rreziku i përhapjes së infeksionit nga një individ që nget i vetëm makinën është shumë i vogël. Shpresojmë të ketë përparim sa më parë që të jetë e mundur,” tha zoti Johnson.

Kufizimet janë ndjerë fort në Dover ku rreth 10,000 kamionë në ditë përdorin linjën hekurudhore dhe transportin detar për të shkuar në portin francez të Kalesë çdo ditë. Një ndër kamionistët e bllokuar është polaku Stanislaw Olbrich.

“Kam tre fëmijë dhe gruan që më presin për Krishtlindje. Për ne në Poloni Krishtlindja është gjë e madhe, pasi kombinon kremtimin fetar me traditën e festave. Për polakët është shumë e vështirë të mos jenë me familjen në Krishtlindje, kjo situatë po më kushton rëndë”.

Eksportet britanike janë ndikuar direkt, tani mund të preken edhe importet nëse shoferët evropianë nuk pranojnë të udhëtojnë. Dyqanet e produkteve ushqimore kanë paralajmëruar se mund të ketë mungesa.

Britania njoftoi në fund të javës së kaluar se kishte identifikuar një variant të ri të koronavirusit që është 70% më ngjitës. Pas njoftimit, vende të ndryshme vendosën ndalim udhëtimesh.

“Urdhri aktual për ndalim-fluturime u dha si masë paraprake. Aktualisht po analizojmë kufizime të tjera në shkëmbimet me Britaninë,” tha ministri holandez i shëndetësisë.

Ndërkaq në Anglinë e jugut, përfshirë Londrën, mbi 16 milionë vetë janë nën urdhra të rrepta të kufizimit të aktivitetit, përfshirë ndalimin e kontakteve fizike me familje të tjera dhe të udhëtimeve për arsye jo të domosdoshme.

“Mendoj se varianti i ri i virusit është pa diskutim shqetësues prandaj e shoh si vendim të duhur. Do të kisha dashur ta kishin marrë ditë më parë,” thotë një banore e Londrës.

Shkencëtarët thonë se varianti i ri e bën edhe më kritik procesin e vaksinimit. Mbi 500 milionë britanikë kanë bërë dozën e parë të vaksinës së Pfizerit.

E gjithë kjo situatë, në një kohë kur Britanisë i mbeten më pak se dhjetë ditë deri në daljen nga BE-ja, megjithëse ende nuk është arritur një marrëveshje. Me ose pa marrëveshje, Brexiti do të jetë një kokëçarje tjetër që i shtohet kaosit dhe problemeve aktuale të Britanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat