Estetistja 20 vjeçare masakrohet nga tufa e qenve të rrugës teksa kthehej në shtëpi në Rusi

Evropë

Estetistja 20 vjeçare masakrohet nga tufa e qenve të rrugës teksa kthehej në shtëpi në Rusi

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 16:23
Tatyana Loskutnikova

Një 20-vjecare estetiste po lufton për jetën pasi u sulmua egërsisht nga një tufë qensh të egër, teksa ecte pranë shtëpisë së saj në lindje të Rusisë.

Tatyana Loskutnikova, zbukuruese thonjsh, u sulmua nga rreth 10 qen teksa ecte në qendër të qytezës Ulan-Ude në lindjen e largët të Siberisë, mëngjesin e djeshëm.

Kafshët kishin grisur rrobat e saj në temperatura që arrijnë në -22C, e kishin kafshuar në gjymtyrë dhe në fytyrë, para se banorët vendas të vinin për ta ndihmuar.

Alexandra Andreevna, e cila ishte e para që erdhi në ndihmë, përdori një shkop për të larguar kafshët e egra dhe thërriti të tjerë për të ardhur në ndihmë.

Një prej qenve sulmoi një polic që iu bashkua përpjekjeve të shpëtimit, para se të qëllohej për vdekje me armë prej tij.

Kur qytetarët arritën më në fund të shpëtonin Loskutnikova, ata panë se fytyra e saj ishte dëmtuar nga kafshimet aq sa nuk njihej më.

Vajza u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe tashmë merr frymë me anë të një ventilatori.

“Vajza kishte copa të këputura mishi në të gjithë trupin. Në fytyrën e saj kishin mbetur vetëm sytë”, tha një zëdhënës i spitalit.

Dr Igor Shpak, kryedoktori i klinikës së republikës, tha: “Viktima është në kujdes intensiv dhe në terapi anti-shoku. Kirurgë, neuro-kirurgë, traumatologë dhe kirurgë maksilofacialë po luftojnë për t’i shpëtuar jetën. Pacientja erdhi në gjendje të rëndë. Ajo kishte plagë të shumta kafshimesh në fytyrë, në trup e gjymtyrë. Përqindja e dëmit është e lartë, presioni i gjakut është shumë i ulët.”

Andreevna, ndihmuesja që erdhi e para në skenë, shtoi: “Dëgjova ulërimat dhe të lehurat e qenve, u vesha e dola nga shtëpia. Pashë cantën e saj përtokë dhe më tej tufën e qenve te personi i shtrirë përtokë. Ishin 10 qen ndoshta më shumë. Vajza e shtrirë përtokë nuk po ulëriste më, ishte e ndërgjegjshme por ndoshta nuk ulëriste dot nga dhimbjet”.

Rreth 10 qen që besohet se ishin të përfshirë në incident u eliminuan nga autoritetet, të cilat gjithashtu kanë hapur një hetim mbi rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat