Migrantët zhvendosen nga kampi Lipa i Bosnjës, nuk dihet se ku

Evropë

Migrantët zhvendosen nga kampi Lipa i Bosnjës, nuk dihet se ku

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Njëmbëdhjetë autobusë kanë arritur të martën pranë kampit Lipa, afër Bihaqit, në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës, për transportimin e migrantëve në një vend të ri, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Ministria e Brendshme e Kantonit Una-Sana.

Policia është duke monitoruar hyrjen e migrantëve nëpër autobusë, por Ministria e Brendshme thotë se nuk është organizatore e zhvendosjes së tyre dhe se nuk e di vendndodhjen ku do të dërgohen.

Më 23 dhjetor, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) janë tërhequr nga kampi i përkohshëm i migrantëve Lipa dhe kanë ndërprerë ndihmën në këtë kamp.

Në të njëjtën ditë, një nga çadrat është përfshirë nga zjarri dhe pjesa më e madhe e kampit është shkatërruar.

Pas tërheqjes së IOM-it, strehimi alternativ për migrantët nga kampi Lipa nuk është siguruar.

Kriza e migrantëve në kantonin Una-Sana është komplikuar, sepse qeveria kantonale ka hequr dorë nga marrëveshja për transferimin e migrantëve nga kampi Lipa në kampin Bira, ka thënë Sellmo Cikotiq, ministër i Sigurisë në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.

Përveç rreth 800 migrantëve në vendin e ish-kampit Lipa, vlerësohet se në këtë zonë janë edhe rreth 2,000 njerëz në ndërtesa të braktisura dhe kampe të improvizuara.

Në një deklaratë të nënshkruar nga Këshilli Danez i Refugjatëve, IOM, Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), si dhe organizatat Save the Children dhe Mjekët Pa Kufij, autoriteteve të Bosnjës iu bëhet thirrje që të reagojnë me urgjencë, sepse, siç thuhet, ata që kanë mbetur në vendin e kampit, “janë në rrezik të menjëhershëm kur bëhet fjalë për sigurinë, shëndetin dhe mbrojtjen”.

Në Bosnje ndodhen mijëra migrantë, kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci - vend anëtar i Bashkimit Evropian - dhe të vazhdojnë më pas më në perëndim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat