Mungesa e vaksinës: A mund të shtyhet doza e dytë?

Evropë

Mungesa e vaksinës: A mund të shtyhet doza e dytë?

Më: 1 janar 2021 Në ora: 10:38
Foto ilustrim

Numri i njerëzve të vaksinuar po rritet ngadalë – ende nuk ka vaksinë të mjaftueshme. Ekspertët këshillojnë si të vaksinohen shumë njerëz sa më shpejt të jetë e mundur. Një ide: doza e dytë të jepet më vonë.

Disa ditë pas fillimit, diskutimet rreth fushatës së vaksinimit në Gjermani vazhdojnë. Shkencëtarët po shqyrtojnë mundësinë që, si në Britaninë e Madhe, doza e dytë e nevojshme e vaksinimit të jepet më vonë, në mënyrë që të vaksinohen sa më shumë njerëz që të jetë e mundur me rezervat e pakta.

“Meqenëse intervali midis dy vaksinimeve me shumë gjasa mund të ndryshojë brenda kufijve të gjerë dhe mbrojtja është shumë e mirë edhe pas një vaksinimi, vlen të mendohet që në rastin e sasisë së pakët të dozave të vaksinave, doza e dytë të jepet më vonë:, thotë Thomas Mertens, kryetari i Komitetit të përhershëm të vaksinimit në Institutin Robert Koch. Sidoqoftë, kjo përbën një sfidë të re për planifikimin e vaksinimit të dytë, i cili në fund të fundit duhet të kryhet. 

Image

Virologu i Bonit, Hendrik Streeck kishte bërë një deklaratë të ngjashme në RTL TV. Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e të vaksinuarve janë të mbrojtur nga sëmundja e rëndë pas vaksinimit të parë. Sidoqoftë, së pari duhet të ketë një diskutim në lidhje me një qasje të tillë. “Nuk është një vendim i lehtë, por do të ishte një mënyrë për të vaksinuar më shumë njerëz shpejt.”

Dymbëdhjetë javë në vend të tre javëve

Të mërkurën, Britania e Madhe dha një leje emergjente për vaksinën e kompanisë farmaceutike britanike-suedeze AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, vaksina e dytë pas asaj të Biontech/Pfizer. Në të njëjtën kohë, komisioni rekomandoi që sa më shumë njerëzve që të jetë e mundur t’u jepet vetëm doza e parë e vaksinës për të dyja vaksinat. Doza e dytë duhet të injektohet brenda dymbëdhjetë javësh në vend të dy deri në katër javë, siç qe planifikuar fillimisht.

Shumë ekspertë të Britanisë së Madhe e mirëpritën vendimin si një qasje të arsyeshme për përballimin e mungesës së vaksinës. Sidoqoftë, ata theksuan edhe se efektiviteti është më i vogël pas dozës së parë dhe duhet të vërehet nëse strategjia funksionon vërtet.

Peter Kremsner, Drejtor i Institutit për Mjekësi Tropikale në Universitetin Eberhard Karls në Tybingen, mendon se qasja britanike thellësisht është shumë e arsyeshme. “Nëse efekti i vaksinimit të parë nuk zvogëlohet shpejt me kalimin e kohës, vaksinimi i dytë mund të ndodhë gjithashtu më vonë, për shembull pas gjashtë muajsh. Këtë ne nuk e dimë ende. Kështu është vepruar edhe me vaksinat e tjera.”

Schäuble kundër privilegjeve për të vaksinuarit

Ndërkohë, Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble është shprehur kundër trajtimit preferencial për njerëzit që janë vaksinuar kundër kcoronavirusit. “Trajtimi preferencial për njerëzit e vaksinuar mbart rrezikun e ndarjes së shoqërisë”, tha politikani i CDU gazetës “Neue Osnabrücker Zeitung”.

Schäuble tha se nuk duhet të futet”asnjë pykë” midis atyre që janë vaksinuar tashmë dhe atyre që nuk janë vaksinuar. Ritmi i zhvillimit të vaksinave është “absolutisht mbresëlënës”. Kështu që ka shpresë që prodhimi të bëhet edhe më shpejt sesa pritej. Anëtarët e qeverisë federale si Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn dhe Ministri i Brendshëm Horst Seehofer kishin bërë tashmë deklarata të ngjashme.

Aktualisht është e paqartë në çfarë mase mbron një vaksinim kundër coronas me vaksinën e vetme të lejuar deri tani në Gjermani të Biontech-ut nga infektimi i njerëzve të tjerë, kur vetë je bërë imun ndaj virusit./DW/

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat