Situatë e rënduar me emigrantët në Bosnjë-Hercegovinë

Evropë

Situatë e rënduar me emigrantët në Bosnjë-Hercegovinë

Më: 9 janar 2021 Në ora: 20:22
Bosnje

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Emigracionin po shpreh shqetësim në rritje për faktin që emigrantët në Bosnje Hercegovinë detyrohen të jetojnë jashtë edhe në temperaturat nën zero. Sipas agjencisë, kjo situatë është shkaktuar nga vonesat dhe pavendosmëria e autoriteteve për risistemimin e tyre.

Qindra emigrantë nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme janë lënë nën qiellin e hapur në kampin Lipa, pas dështimit të përpjekjeve për t’i zhvendosur ata në një vend tjetër, ndërsa kampi i tyre u shkatërrua nga shpërthimi i zjarrit.

“Temperaturat kanë rënë nën zero. Organizata Ndërkombëtare e Emigrantëve dhe partnerët e saj po ofrojnë mbështetje aq sa munden, por duhet një zgjidhje afatgjate”, tha zëdhënësi i Organizatës ndërkombëtare të Emigrantëve, Paul Dillon, gjatë një konference për shtyp.

Ditët e para të janarit zjarri shkatërroi kampin Lipa që ndodhej afër qytetit Bihaç në perëndrim të vendit. Emigrantët duhej të transferoheshin në qytetin Bradina, rreth 320 kilometra larg qendrës së Bosnjes dhe Hercegovinës.

Emigrantët ishin vendosur në autobusë dhe kishin pritur në të ftohtë për më shumë se një ditë që të dërgohen në një vend tjetër. Por, marrëveshja përfundimtare për destinacionin e tyre dështoi.

Peter Van der Auweraert, kreu i misionit të Organizatës Ndërkombëtare të Emigrantëve në Bosnje dhe Hercegovinë tha se situata u rëndua nga reshjet e mëdha të shiut që çuan në rënie të temperaturave, ndërsa shton se agjencia e tyre ofroi xhaketa dhe shtretër kampi.

Ai shton se disa emigrantë vuajnë probleme serioze shëndetësore që lidhen me frymëmarrjen dhe lëkurën si dhe përballen me një ngarkesë në rritje të stresit.

Sipas zotit Van der Auweraert dy qendra tjera mund të strehojnë qindra emigrantë të kampit të djegur, por mungesa e konsensusit mes qeverisë dhe autoriteteve lokale i ka lënë emigrantët në këtë gjendje. Ai thotë se negociatat duhet të vazhdojnë këtë javë.

"Ekzistojnë mundësi për financim ose ndihmë ndërkombëtare, por e vështirë është arritja e një konsensusi politik se ku duhet të qëndrojnë emigrantët”, thotë ai.

Kampi Lipa ishte hapur në pranverën e kaluar për strehim të përkohshëm gjatë muajve të verës. Aty jetonin 1 mijë e 200 persona dhe ishte në plan që në dimër të mbyllej për rinovim.

Aktualisht, rreth 10 mijë emigrantë nanë bllokuar në Bosnje dhe Hercegovinë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat