Pompeo do të vizitojë Belgjikën një javë para përfundimit të detyrës

Evropë

Pompeo do të vizitojë Belgjikën një javë para përfundimit të detyrës

Më: 12 janar 2021 Në ora: 10:08
Mike Pompeo

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo do ta vizitojë Belgjikën këtë javë, ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme të Belgjikës, Sophie Wilmes.

Udhëtimi i Pompeos për në Belgjikë vjen një javë para përfundimit të detyrës së tij. Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit tha se Pompeo “do të vizitojë Brukselin, kryeqytetin e Belgjikës, më 13-14 janar, për të riafirmuar partneritetin e thellë dhe të përhershëm midis SHBA-së dhe Belgjikës dhe për të shprehur mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së për NATO-n”.

Në deklaratë thuhet se Pompeo do ta takojë shefin e NATO-s Stoltenberg dhe kryediplomaten belge, njëherësh zëvendëskryeministre, Wilmes.

“Sekretari Pompeo do të theksojë rëndësinë e aleancës transatlantike, do të mbështesë suksesin e NATO-s në mbrojtjen e bashkësisë transatlantike dhe suksesin e saj në përshtatjen me sfidat e reja të sigurisë dhe do të theksojë qëndrueshmërinë e marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Belgjikës”, theksohet më tej.

Detyra e Pompeos në krye të diplomacisë amerikane pritet të përfundojë me marrjen e detyrës së presidentit nga Joe Biden më 20 janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat