Spahn: Gjermania s’mund t’i zbusë të gjitha masat në fillim të shkurtit

Evropë

Spahn: Gjermania s’mund t’i zbusë të gjitha masat në fillim të shkurtit

Më: 13 janar 2021 Në ora: 11:16
Jens Spahn

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se vendi i tij nuk do të mund t’i lehtësojë të gjitha masat kufizuese në fillim të shkurtit, duke e theksuar nevojën për pakësim të mëtejmë të kontakteve për ta parandaluar përhapjen e variantit më ngjitës.

“Një gjë tashmë është e dukshme: nuk do të jetë e mundshme të lehtësohen të gjitha masat më 1 shkurt”, tha ai për mediet të mërkurën, duke shtuar se do të nevojiten dy apo tre muaj që të vërehen efektet e vaksinimit.

Gazeta Bild raportoi të martën se kancelarja Angela Merkel ka mbajtur një takim me ligjvënësit dhe u ka thënë atyre se masat kufizuese mund të zgjasin deri në fillimin e prillit, shkruan The Guardian.

Kabineti gjerman pritet të takohet më vonë të mërkurën për të miratuar kontroll më të rreptë ndaj personave që hyjnë në territorin e vendit. Javën e kaluar, qeveria vendosi që masat të ashpërsohen dhe të mbeten në fuqi deri në fund të janarit.

Me rregullat e reja do të kërkohet që të testohen personat që vijnë nga shtetet me rrezikshmëri të lartë të virusit ose nga vendet ku tashmë është duke qarkulluar varianti i ri, i cili është shumë më ngjitës.

Gjermania të mërkurën regjistroi 19.600 raste të reja me Covid-19 dhe 1.060 viktima për 24 orë. Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sëmundja e re në këtë shtet ka shkuar në 42.637.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat