Raduloviq: "Mali i Zi do të ketë raporte pa tensione me Serbinë"

Evropë

Raduloviq: "Mali i Zi do të ketë raporte pa tensione me Serbinë"

Më: 16 janar 2021 Në ora: 09:33
Gjorgje Raduloviq

Ministri i ri i Jashtëm i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq ka zgjedhur Gjermaninë për vizitën e tij të parë jashtë vendit. Në prag të takimit me homologun gjerman Heiko Maas, ai dha një intervistë ekskluzive për DW.

DW: Pse zgjodhët Gjermaninë si vendin e parë që do të vizitoni si ministër i Punëve të Jashtme?

Raduloviq: Unë mendoj se ka shumë arsye pse Gjermania duhet të jetë vendi i parë që viziton çdo ministër i ri i jashtëm i një vendi të Ballkanit Perëndimor. Gjermania është një vend që mbështet fuqimisht proceset e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në secilën valë të zgjerimit deri më tani, Gjermania ka luajtur rolin e promovuesit të anëtarëve të rinj. Prandaj, megjithë pandeminë, unë as që mendova dy herë kur më thirri për vizitë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Mendoj se me këtë vizitë në Gjermani po dërgoj një sinjal të qartë se në cilin drejtim duam të shkojë vendi ynë. E kjo rrugë është, sigurisht, anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Kjo është gjithashtu një mundësi për të falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe për mbështetjen e saj për qeverinë e re malazeze në përpjekjet e saj për të zbatuar reformat.

Sidoqoftë, duhet të përmend që plani im në një të ardhme të parashikueshme, duke pasur parasysh se qëllimi ynë kryesor i politikës së jashtme është integrimi evropian, është të vizitojmë vendet e tjera kryesore të Bashkimit Evropian.

DW: Gjatë bisedës me ministrin Maas, a prisni ndonjë pyetje të pakëndshme në lidhje me zhvillimet e fundit në Mal të Zi?

Radiloviq: Besoj se jemi në mes të një procesi që nuk është krejt i zakonshëm. Mali i Zi ndryshoi qeverinë e tij pas tridhjetë vjetësh, mbase mund të thuhet edhe pas 70 vjetësh. Kjo qeveri ka qenë në pushtet vetëm për rreth katër ose pesë javë dhe mendoj se kemi bërë shumë në këtë kohë të shkurtër. Nëse do të mund të bënim diçka më të mirë dhe ndryshe, kjo qeveri ka kapacitetin demokratik për të dëgjuar të gjithë ata që duan të kontribuojnë në përmirësim. E ministri Maas, si përfaqësues i një vendi mik dhe partner, mund të them një model, është më se i ftuar të dërgojë të gjitha sugjerimet dhe kritikat në këtë drejtim.

DW: A mendoni se mosmarrëveshja midis qeverisë së re malazeze dhe presidentit Milo Gjukanoviq do të pengojë punën e qeverisë në planin afatgjatë dhe do të shkaktojë paqëndrueshmëri në vend?

Raduloviq: Pas ngjarjeve të shkurtit të vitit të kaluar, u bë e qartë se Presidenti Gjukanoviq nuk do të ndihmonte tranzicionin e pushtetit dhe ishte ende duke u përpjekur ta pengonte atë në çdo hap. Por qeveria e re malazeze nuk mbështet taktikat e futjes nën gërmadha dhe të lojërave të pafund për pushtet. Kjo është arsyeja pse kryeministri dhe zëvendëskryeministri, Krivokapiq dhe Abazoviq, si dhe kryetari i Parlamentit Beçiq, i dërguan një ftesë presidentit Gjukanoviq për biseda të hapura për bashkëjetesë. Jo nga dobësia, por sepse ata ndjehen përgjegjës për vendin e tyre. Shpresoj që presidenti Gjukanoviq do të heqë dorë nga çdo plan për të penguar edhe më tej punën e qeverisë, e cila mund të çojë në protesta dhe destabilizim të mundshëm.

DW: A ndikon kjo dinamikë në planin e brendshëm politik dhe marrëdhëniet me fqinjët, sidomos me Serbinë?

Raduloviq: Ne kemi një doktrinë të problemeve zero me të gjithë fqinjët në rajon. Rajoni mund të mos jetë ndoshta më mirënjohësi për promovimin e një doktrine të tillë. Por Mali i Zi megjithëse nuk është më i forti ekonomikisht ose ushtarakisht, përsëri dëshiron të ndikojë në marrëdhëniet në rajon me shembullin e tij të mirë. Kjo vlen edhe për Serbinë, me të cilën duam të kemi marrëdhëniet më të mira, të bazuara në parimin e dy vendeve të pavarura, në parimin e respektit të ndërsjellë dhe të bazuar në parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme. Dhe mbase më e rëndësishmja, ne kemi marrëdhënie të bazuara në sistem, kështu që pavarësisht se kush është në pushtet, edhe nëse pushtetmbajtësit nuk janë dakord për të gjitha çështjet, duhet të jemi afër dhe të bashkëpunojmë.

Në këtë kuptim, unë do të doja të them se qeveria e re dëshiron të rivendosë plotësisht marrëdhëniet me Serbinë dhe të fillojë nga e para. Kjo është arsyeja pse unë ftova ministrin e Jashtëm serb Nikola Selakoviq të vinte në Podgoricë në fillim. Ndërsa kryeministri Krivokapiq e bëri të njëjtën gjë duke ftuar kryeministren serbe Ana Brnabiq për vizitë në Mal të Zi në fund të këtij muaji. Mendoj se këto janë disa shenja të miqësisë që Mali i Zi, si një fqinj i mirë, ka me Serbinë.

Me këtë rast, unë ju njoftoj se ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, do të na vizitojë brenda një jave.

DW: Ju përmendni anëtarësimin e plotë në BE si qëllimin tuaj kryesor. Por BE aktualisht është larg një zgjerimi të ri. Gjithnjë e më shumë, vendeve të Ballkanit Perëndimor u ofrohen alternativa të tjera nga anëtarësimi i plotë, të tilla si anëtarësimi në Zonën Ekonomike Evropiane (EEA). Pra anëtarësimi ekonomik pa pjesëmarrje politike. Si i sheh Mali i Zi këto propozime?

BE për ne është shumë më tepër sesa një ekonomi. Shumë më tepër sesa pagat e larta, tregtia. BE për ne është një ide, e një ide nuk mund ta diskreditoni me para. Besimi në këtë ide është i madh në Malin e Zi dhe mendoj se do të rritet edhe më shumë. Ne nuk refuzojmë asgjë apriori, por hapësira ekonomike është për ne diçka që tashmë e kemi përmes shumë marrëveshjeve bilaterale. Një lloj pritje e përjetshme mund të zvogëlojë besimin e qytetarëve tanë në këtë ide evropiane.

DW: Anëtarësimi në Bashkimin Evropian kushtëzon gjithashtu edhe zgjidhjen e problemeve themelore në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat po angazhohen për anëtarësim të plotë. Ku mendoni se qëndrojnë problemet kryesore në këtë pjesë të Evropës?

Raduloviq: Ne duhet t'i zgjidhim problemet tona të ndërsjella pa presionin e Bashkimit Evropian dhe përmes dialogut të vazhdueshëm. Kur flasim për vende të veçanta, unë mendoj se në periudhën e ardhshme duhet të përqendrohemi në Bosnjë-Hercegovinë. Të gjithë ne në rajon duhet ta ndihmojmë Bosnjë-Hercegovinën të bëhet sa më funksionale dhe të arrijë vendet e tjera kur bëhet fjalë për integrimin evropian. Kjo kërkon një qasje rajonale por edhe praninë e Bashkimit Evropian.

DW: A mendoni se institucioni i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë-Hercegovinë duhet të ruhet?

Raduloviq: Ekzistojnë rregulla të qarta se kur ky institucion duhet të ndërpresë punën. Kur Bosnjë-Hercegovina i plotëson këto kritere dhe bëhet një shtet funksional në kuptimin e plotë të termit, atëherë fundi i këtij mandati duhet të vijë. Por në këtë moment ende nuk është rasti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat