Restorantet dhe kafiteritë në Itali kundër masave anti-COVID, klientë të shumtë vallëzojnë e këndojnë

Evropë

Restorantet dhe kafiteritë në Itali kundër masave anti-COVID, klientë të shumtë vallëzojnë e këndojnë

Më: 16 janar 2021 Në ora: 20:02
Foto

Edhe pse Italia është ende nën masa të rrepta kundër coronavirusit, restorantet dhe kafiteritë kanë hapur dyert pavarësisht thirrjeve të autoriteteve kompetente që t’i mbajnë të mbyllura.

Lokalet janë plotë, ku klientë shijojnë pijet e tyre të preferuar nën tingujt e muzikës italiane, e një video amatore shfaq momentin kur edhe policët i nxjerrin jashtë.

Në anën tjetër kryeministri italian Guiseppe Conte ka zgjatur masat që parashohin orën policore nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit, e janë të ndaluara edhe udhëtimet midis rajoneve deri më 15 shkurt.

Këto masa janë vënë në nëntor dhe do të duhej të skadonin në fund të kësaj jave. E në rajone që janë në listën e “kuqe dhe të portokalltë”, restorantet dhe kafiteritë mund të shërbejnë ushqim “merre me vete”.

E zgjatjen e masave, pronarët e lokaleve nuk e kanë pritur mirë, kështu përmes rrjeteve sociale kanë organizuar ahengje duke hapur dyert të premten në shenjë proteste.

Sipas pamjeve të filmuara brenda restoranteve në Milano, mbretëronte një atmosferë impozante. Dëgjohej muzika, e numri i madh i qytetarëve qëndronin ulur pranë njëri-tjetrit pa maska.

Italia është një nga vendet më të goditura nga pandemia e coronavirusit, me 2.3 milionë  raste të konfirmuara dhe mbi 81 mijë të vdekur. 
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat