Angli, katedralet në qendra vaksinimi, objektet e kultit u vijnë në ndihmë stafeve mjekësore

Evropë

Angli, katedralet në qendra vaksinimi, objektet e kultit u vijnë në ndihmë stafeve mjekësore

Më: 17 janar 2021 Në ora: 14:52
Angli

Katedralet në mbarë Anglinë janë shndërruar nga objekte kulti në qendra vaksinimi, teksa vendi synon të intensifikojë procesin e vaksinimit për qytetarët mbi 70 vjeç dhe shtresa të cenueshme të popullsisë.

Njerëz në radhë për të marrë vaksinën në Salisbury dhe Blackburn, teksa prisnin, mundën të shijonin tingujt e muzikës organike dhe të vizitonin godinat.

Kryetari i katedrales së Blackburn, Peter Howell Jones vlerësoi rolin që këto godina do të luajnë në dhënien e vaksinës për komunitetin.

Ai tha se, nisur nga përmasat e katedrales autoritetetet shëndetësore do të jenë në gjendje të vaksinojnë disa mijëra njerëz në javë.

“Mendoj se ka pasur shumë ankth dhe shumë frikë dhe njerëzit me dëshpërim presin t’i kthehen jetës normale. Ndaj besoj se vaksina është e nevojshme në këto momente. Dhe, me një hapësirë të tillë duhet të jemi në gjendje të vaksinojmë disa mijëra njerëz çdo javë. Është një ndjenjë fantastike të jesh pjesë e këtij procesi,” – tha Peter Howell Jones, kryetar i katedrales së Blackburn.

Qeveria angleze synon të vaksinojë personat më të rrezikuar si të moshuarit, punonjësit e shëndetit publik që janë në vijën e parë dhe ata të kujdesit social brenda 15 shkurtit, një proces që do të kërkojë mbi 2 milionë vaksinime në javë.

Të dhënat e qeverisë treguan në 24 orët e fundit se thuajse 3.6 milionë persona kishin marrë një dozë vaksine, që është dhe shifra më e lartë në Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat