Serbia miraton vaksinën kineze Sinopharm, nis sot vaksinimi masiv

Evropë

Serbia miraton vaksinën kineze Sinopharm, nis sot vaksinimi masiv

Më: 19 janar 2021 Në ora: 08:40
Foto ilustrim

Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore e Serbisë (ALIMS) ka verifikuar dhe lëshuar një certifikatë për kontingjentin e parë të 100,000 dozave të vaksinës kineze Sinopharm, konfirmoi zyrtari i ALIMIS Pavle Zeliq për mediat e Beogradit të hënën në mbrëmje.

Zeliq tha për Tanjug se vaksina kineze u analizua “në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë” të cilat konfirmojnë cilësinë, efektivitetin dhe, mbi të gjitha, sigurinë saj.

Së bashku me Britaninë e Madhe dhe Argjentinën, Serbia është bërë vendi i tretë në botë që ka vaksina nga tre prodhues të ndryshëm – Pfizer/BioNTech, Sinopharma kineze dhe një prodhues rus, tha Zeliq.

Një milion doza të vaksinës kineze mbërritën në Serbi të shtunën dhe kryeministrja Ana Bërnabic njoftoi sot se vaksinimi masiv i grupeve me përparësi do të fillojë të martën, i cili përfshin, përveç punonjësve të arsimit, policisë dhe ushtrisë, përfaqësuesit e mediave që konsiderohen një prej grupeve më të rrezikuara.

Rreth 22.000 njerëz janë vaksinuar në Serbi deri më 16 janar dhe vaksina e parë Pfizer u mor më 24 dhjetor të vitit të kaluar nga kryeministrja e Serbisë dhe dy anëtarë të Shtabit të Krizave.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, u vaksinuan me Sputnik V rus, së bashku me disa drejtues të institucioneve shëndetësore.

Autoritetet serbe thonë se më shumë se 280,000 qytetarë deri më tani kanë aplikuar për vaksinim, ndërkohë që Serbia pret edhe 20.000 doza të tjera të vaksinës së Pfizer këtë javë.

Sipas të dhënave zyrtare, 21 vdekje nga efektet e COVID-19 janë konfirmuar në Serbi në 24 orët e fundit dhe 1.578 infeksione të reja janë regjistruar.

Që nga fillimi i epidemisë më 6 mars, në Serbi janë regjistruar 374,111 raste pozitive dhe 3.771 viktima.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat