Evropa mirëpret Biden, vendet e BE gati për të bashkërenduar agjendën

Evropë

Evropa mirëpret Biden, vendet e BE gati për të bashkërenduar agjendën

Më: 21 janar 2021 Në ora: 00:01
Frank Walter Steinmeier

Në Evropë është përshëndetur marrja e detyrës nga presidenti amerikan Joe Biden. Në Gjermani, presidenti Frank Walter Steinmeier ka deklaruar se mezi pret të bashkëpunojë me të.

“Jam i lehtësuar që sot Joe Biden betohet si president dhe transferohet në Shtëpinë e Bardhë. E di që shumë njerëz në Gjermani ndajnë të njëjtën ndjenjë”, tha Frank Walter Steinmeier, president i Gjermanisë.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, gjatë një seance parlamentare.

“Mezi pres të punoj me të dhe administratën e tij, të përforcojmë partneritetin mes vendeve tona dhe të punojmë për prioritetet e përbashkëta si ndryshimet e klimës, ringritja pas pandemisë dhe forcimi i sigurisë ndër-atlantike”, shprehet Boris Johnson, kryeministër i Britanisë së Madhe.

Në Itali, pasi u zotua se qeveria e tij do të ndjekë kursin evropian, kryeministri Conte premtoi gjithashtu se koalicioni do të veprojë paralelisht me agjendën e administratës së Joe Biden, presidenca e të cilit, siç tha ai, shihet me “shpresë të madhe”.

“Pata një bisedë të gjatë telefonike me të. Agjenda e Biden është edhe agjenda jonë”, deklaroi Giuseppe Conte, kryeministër i Italisë.

Në Francë ka reaguar zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal: “Presim me padurim të ndërtojmë me presidentin Biden një marrëdhënie të re e të fuqishme”.

Edhe në Poloni, vend me të cilin Trump krijoi një marrëdhënie të veçantë, sidomos duke bashkëpunuar me presidentin Duda, pritet që bashkëpunimi të vijojë.

“Polonia dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhura nga shumë interesa, nga këndvështrimi i përbashkët mbi botën, mbi kërcënimet, mbi shanset dhe rreziqet, por edhe për teknologjinë 5G dhe gjeopolitikën”, tha Mateusz Morawiecki, kryeministër i Polonisë.

Mëngjesin e së mërkurës, me orën lokale, presidenti në ikje Donald Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, për t’i hapur rrugë ardhjes së administratës së re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat