Gjermania kërkon masa të ashpra për parandalimin e llojeve të reja të virusit

Evropë

Gjermania kërkon masa të ashpra për parandalimin e llojeve të reja të virusit

Më: 21 janar 2021 Në ora: 21:51
Ilustrim

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbështeti sot politikat e rrepta qeveritare të kufizimeve dhe bëri thirrje për masa në të gjithë Europën për të parandaluar mutacionet më ngjitëse të koronavirusit.

Gjatë një konference për media në kryeqytetin Berlin, Merkel u bëri thirrje qytetarëve në Gjermani dhe Europë të marrin më seriozisht variantet e virusit.

“Rrezikun e mutacionit të virusit tani mund ta shohim më qartë sesa në fillim të vitit”, theksoi ajo, duke shtuar se lloji i ri i zbuluar për herë të parë në Britaninë e Madhe ishte parë gjithashtu në disa vende të tjera europiane, përfshirë Gjermaninë, raporton ATSh.

“Bazuar në atë që dimë deri më tani, lloji i ri i virusit është dukshëm më ngjitës sesa ai me të cilin kemi jetuar vitin e fundit. Kjo është arsyeja kryesore për rritje masive të rasteve në Irlandë dhe Britani”, theksoi ajo.

Merkel nënvizoi se lloji i ri nuk është bërë dominant në Gjermani, por paralajmëroi se kjo nuk duhet të jetë arsyeja e vetëkënaqësisë.

“Ne duhet ta marrim shumë seriozisht këtë kërcënim serioz nga ky virus. Unë nuk mund ta theksoj këtë mjaftueshëm”, shtoi ajo.

“Ne duhet të ngadalësojmë përhapjen e këtij virusi të ri. Nuk duhet të presim derisa ky virus të shpërthejë këtu dhe të shkaktojë ngritje të reja masive të rasteve. Atëherë do të jetë vonë”, theksoi kancelarja gjermane.

Merkel shtoi se për shkak të shqetësimeve mbi variantin e Britanisë së Madhe dhe mutacioneve të tjera, Gjermania ka vendosur të zgjasë masat e rrepta të mbylljes deri më 14 shkurt duke ashpërsuar disa nga masat.

Ajo tha se qeveria e saj mori këtë vendim si masë paraprake, përkundër faktit se numri i rasteve të reja dhe pacientëve të sëmurë rëndë janë ulur ditët e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat