Putini ka arsye të jetë nervoz

Evropë

Putini ka arsye të jetë nervoz

Nga: Sherif Ramabaja Më: 22 janar 2021 Në ora: 17:01
Vladimir Putin

Kthimi i Navalny dhe hulumtimi i tij në vilën e pretenduar luksoze të Vladimir Putin përbënin sfida të mëdha për Kremlinin. Protestat në rrugë të njoftuara për të shtunën për momentin nuk paraqesin kërcënim për Putinin. Por koha po troket kundër tij.

Për vite me radhë, opozitari rus Alexei Navalny u akuzua se nuk kishte gjetur asnjë material inkriminues ndaj vetë presidentit rus, në hulumtimet e tij të shumta për makineritë e Vladimir Putin. Të martën, dy ditë pas arrestimit në Aeroportin Sheremetyevo të Moskës pasi ishte trajtuar në mënyrë mjekësore në Gjermani, 44-vjeçari arriti ta drejtonte goditjen e tij më të madh të deritanishme: ai publikoi një video në lidhje me një pallat luksoz në Detin e Zi që pretendohet se i përket Putinit. Vetëm në 24 orët e para, videoja u klikua më shumë se 23 milion herë dhe tani është tema numër një në internetin rus.

"Kjo është një përmbledhje deklaratash dhe marrëzish të pavlefshme", reagoi i bezdisur ndaj kërkimit zëdhënësi i Putinit Dmitry Peskov. "Autorët e videos po denoncojnë kundër donacioneve. Ne paralajmërojmë të gjithë qytetarët: mendohuni dhjetë herë para se të dërgoni para për mashtrues të tillë." Ka pasur spekulime rreth pallatit që nga fillimi i viteve 2010. Ajo që është e re, megjithatë, janë detajet shumëngjyrëshe të treguara gjatë pothuajse dy orësh. Kështu që Navalny paraqet një llogaritje të çmimit total, i cili duhet të jetë 1.1 miliardë euro. Ai gjithashtu shpjegon se ndërtimi u financua nga aleatët më të ngushtë të Putinit, të tilla si kreu i kompanisë shtetërore të naftës Rosneft, Igor Sechin. Përveç kësaj, Navalny pretendon të ketë dalë me planin e detajuar të pallatit. Një helikopter, një sallë i plotë hokeji dhe një kishë janë të vendosura në territorin e pallatit. Në ndërtesën trekatëshe do të gjeni një sallë të vërtetë teatri, një sallë pritjeje luksoze me shisha bar dhe madje edhe një kazino.

Për Navalny, publikimi i videos është deklarata përfundimtare e luftës ndaj Kremlinit. "Kjo video u xhirua para se Alexei të kthehej në Rusi", tha ekipi i tij. "Por ne menjëherë ramë dakord që do ta publikonim vetëm më pas. Aleksei nuk donte që Vladimir Putin të mendonte se ishim të frikësuar dhe vetëm donim të flisnim për këtë nga jashtë." Për momentin, Navalny përfundoi në të vërtetë në duart e Kremlinit. Të hënën, anëtari i opozitës u dënua me 30 ditë paraburgim në një seancë gjyqësore të improvizuar në një stacion policie në veri të Moskës, e cila ishte e pazakontë edhe për Rusinë. Por procesi i plotë kundër tij, është planifikuar të fillojë në fund të janarit.

Putini nuk ka vërtet opsione të mira

Në 2013 Navalny u dënua me pesë vjet burg në një gjyq mashtrimi, i cili më pas u pezullua. Ky vendim u shpall arbitrar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në 2017. Gjatë trajtimit të tij në Gjermani, Navalny thuhet se ka shkelur kërkesat e raportimit, sipas shtetit rus. Prandaj, dënimi me kusht mund të zëvendësohet me një dënim me burg. Ky zhvillim nuk është i pabesueshëm. Pyetja është, megjithatë, nëse Putini do të përfitojë prej tij.

Ishte e qartë që nga fillimi se kthimi i Navalny në Rusi pas sulmit me neurotoksinën Novichok vitin e kaluar, do të ishte një rrezik. Për shkak të ambicieve të mëdha politike të 44-vjeçarit, nga këndvështrimi i tij ende nuk kishte asnjë mundësi tjetër serioze. Ai nuk mund të veprojë në mënyrë efektive nga Berlini ose Londra, se si nga Rusia. Arrestimi i tij mund të jetë edhe një lloj investimi në të ardhmen e tij politike. Është e vërtetë që ai ka qenë kundërshtari më i rëndësishëm i Putinit për një dekadë. Sidoqoftë, helmimi i Navalny e bëri atë më të njohur se kurrë, gjë që nuk është e parëndësishme  shkaku i injorancës totale të makinerisë së propagandës shtetërore. Por gjithashtu e bëri atë subjekt të politikës së jashtme ruse. A duhet Navalny të mbahet me të vërtetë pas hekurave për një kohë të gjatë?

Sidoqoftë, Kremlini nuk kishte ndonjë mundësi me të vërtetë të mirë. Lënia e lirë e Navalny pas arritjes së tij në Rusi, do të ishte gjithashtu e rrezikshme për Putinin, për shkak të ndërgjegjësimit në rritje të opozitës. Arrestimi i tij e bën atë edhe më shumë një dëshmor dhe zbulon frikën e Putinit nga konkurrenca e drejtpërdrejtë politike, pak para zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në vjeshtë. Është pothuajse e pamundur që një parti e udhëhequr nga Alexei Navalny, të pranohet tek ata. Sidoqoftë, Navalny kohët e fundit zgjodhi të ashtuquajturin votim inteligjent, sipas të cilit votuesit e pakënaqur duhet të votojnë për kandidatin më premtues, që nuk i përket partisë në pushtet "Rusia e Bashkuar". Kjo strategji çoi në suksese të vogla në disa rajone.

Prandaj është mjaft e mundshme që arrestimi i Navalny për "Rusinë e Bashkuar" të kthehet në kthesë dhe që zbulimi i Pallatit Putin në Rusinë jugore të sigurojë gjithashtu, që trendi negativ do të vazhdojë. Tani për tani, megjithatë, Navalny dhe kolegët e tij janë të shqetësuar dhe preokupuar me të shtunën e ardhshme. Protestat mbarëkombëtare kundër arrestimit të Navalny do të zhvillohen në 23 Janar. Pavarësisht numrit astronomik të klikimeve në YouTube, pritjet janë të kujdesshme. As kthimi aktual i Nawalny dhe as gjyqi i shkurtër në stacionin policor nuk ishin në gjendje të mobilizojnë turmat e mëdha në vend. Përveç temperaturave nën zero deri në 20 gradë, makina shtypëse e Putinit gjithnjë e më e fuqishme është një nga arsyet kryesore. Kohët e fundit, edhe radhët për të ashtuquajturat demo individuale, të cilat më parë toleroheshin, tash kualifikohen si shkelje e Aktit të Asamblesë. Për shkak të kësaj, njerëzit madje kanë më shumë frikë nga demonstratat politike sesa më parë.

Prandaj, shpresa se karrigia e Putinit do të lëkundet seriozisht në javët dhe muajt e ardhshëm është iluzion. Në çdo rast, protestat në rrugë nuk do ta bënin atë. Sidoqoftë, një numër i madh i të rinjve në Rusi janë në të vërtetë të zhgënjyer që, Putini mund të mbetet teorikisht president përtej mandatit aktual të detyrës deri në vitin 2024, si rezultat i reformës kushtetuese të vitit të kaluar. Shtuar kësaj janë helmimi dhe arrestimi i Navalny, kërkimi i tij i ri dhe zbulimet nga media të tjera, të cilat, ndër të tjera, hedhin dritë mbi temat e dikurshme tabu, mbi jetën private të Putinit, në detaje. Kjo indirekt tregon se jo të gjithë rreth Putinit, janë të kënaqur me situatën aktuale politike dhe se disa informacione rrjedhin me sa duket./ Nga Denis Trubetskoy, Nga gjermanishtja Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat