Protesta në Rusi, arrestohet gruaja e kryeopozitarit Navalny

Evropë

Protesta në Rusi, arrestohet gruaja e kryeopozitarit Navalny

Më: 23 janar 2021 Në ora: 15:11
Yulia Navalnaya dhe Alekei Navalny

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e kritikut të Kremlinit në paraburgim, Alekei Navalny, është arrestuar në Moskë gjatë protestës që po mbahet në përkrahje të burrit të saj.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet zonja Navalnaya duke u ndalur nga policia në hyrjen e një stacioni të metros në Moskë, afër vendit ku ishin mbledhur protestuesit. Më pas, ajo dërgohet në një veturë të policisë.

Qindra protestues janë arrestuar në protestat që po mbahen në shumë qytete të Rusisë, pavarësisht paralajmërimit të autoriteteve kundër tubimeve dhe temperaturave shumë të ulëta në disa pjesë.

Sipas një faqeje të pavarur që e përcjell policinë, deri në mesditën e së shtunës sipas kohës në Moskë janë arrestuar 863 persona, shkruan CNN.

Protestat filluan në skajin lindor të Rusisë, në Vladivostok, dhe më pas edhe në qytetet tjera në pjesën qendrore e perëndimore të shtetit më të madh në botë me sipërfaqe.

Përkrahësit e Navalnyt kanë thënë se janë duke planifikuar protesta në 90 qytete. Janë publikuar pamje edhe të një proteste të vogël në qytetin Yakutsk, ku temperatura ishte -53 gradë.

Në mesditë, turma njerëzish filluan të mblidhen në Sheshin “Pushkin”, në qendër të Moskës, ku pritej të mbahet protesta më e madhe. Protestuesit u përballën me gaz lotsjellës dhe shumë prej tyre u arrestuan edhe para se protesta të fillonte zyrtarisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat